Sveçla takon homologët e tij gjatë vizitës në Katar

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla gjatë qëndrimit në Katar dhe pjesëmarrjes në Panairin “Milipol 2022” ka pasur rastin të takojë homologë të tij nga vende të tjera.

Gjatë takimit me ministrin francez, Gerald Darmanin, Sveçla ka shkëmbyer mendimet për zhvillimet e fundit të sigurisë dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit bilateral.

Sipas njoftimit nga MPB-ja, Sveçla takoi edhe ministrin boshnjak Selmo Cikotic, me të cilin ka diskutuar për gjendjen e sigurisë dhe nevojën e bashkëpunimit rajonal.

Ministri i Punëve të Brendshme ka takuar edhe ministrin e Jashtëm të Kuvajtit, të cilin e ka falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme të vendit të tij për Kosovën.

“Gjithashtu, janë diskutuar mundësitë e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët, me theks të veçantë në fushën e sigurisë dhe bashkëpunimit policor”, thuhet në njoftim.

Sveçla, u takua edhe me homologun e tij nga Sudani, Anan Hamed Muhammad Omar, të cilin e ka njoftuar me zhvillimet në Kosovë gjatë viteve të fundit.

Ministri Omar sipas kësaj komunikate e ka mirëpritur nisjen e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe shkëmbimin e përvojave midis Policive të dy vendeve.

Kurse, zëvendësdrejtorin e Departamentit të Shtetit në Drejtoratin e Sigurisë Publike të Turqisë, Mustafa Jait, Sveçla e ka falënderuar për kontributin që ka dhënë Turqia në mbështetjen dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale të Policisë së Kosovës.

“Gjithashtu, në takim është biseduar për mundësitë e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e përvojave edhe me Xhandarmerinë turke”, përfundon njoftimi.