Konferenca për media e kryeminsitrit Albin Kurti dhe ministrit të Brendshëm Xhelal Sveçla për situatën në veri, 7 nëntor 2022, Foto: KALLXO.com

Sveçla: Siguria e të gjithëve, pa asnjë dallim, është mision, detyrë dhe mandat i yni kushtetues

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë thirrje për solidarizim ndërshoqëror dhe ndërveprim të të gjitha institucioneve.

“Ju lus të gjithëve për bashkëpunim me përfaqësuesit e shtetit, zyrtarët policorë, solidarizim ndërshoqëror dhe ndërveprim me të gjitha institucionet e vendit tonë të cilët po  kujdesen për zbatim të vendimeve tona të drejta” – ka shkruar ai në Facebook.

Sveçla ka thënë se kohëve të fundit po ashtu ka edhe shumë dezinformata ‘duke asociuar ndodhi nga e kaluara e largët dhe e dhimbshme’.

“Kohëve të fundit është shtuar e zgjeruar në lloje e metoda propaganda dhe dezinformacioni nga përkrahësit dhe të punësuarit e Serbisë. Natyrisht qëllimi i tyre është për t’ju shqetësuar e shtuar pasigurinë tek ju. Për çdo orë po shpërndahen kinse informata duke asociuar ndodhi nga e kaluara e largët dhe e dhimbshme”- ka thënë ai.

“Por të dashur bashkëqytetarë dhe bashkëqytetare, siguria e të gjithëve, pa asnjë dallim, është mision, detyrë dhe mandat i yni kushtetues e ligjor që do ta zbatojmë me përpikmëri e vendosmëri” – ka shtuar ai.

Tutje Sveçla ka thënë se Policia e Kosovës është e gatshme për të ofruar siguri për qytetarët e Kosovës.

“Bashkëpunimi i ngushtë mes nesh, komunikimi i ndërsjellë dhe fryma e mirëkuptimit lehtësojnë zbatimin e misionit tonë. Policia e Kosovës është e përkushtuar dhe e gatshme që të ofrojë rend dhe siguri anë e mbanë Republikës së Kosovës në koordinim të ngushtë me partnerët dhe aleatët tanë ndërkombëtarë” – ka shtuar ai.

Sveçla edhe një herë ka përsëritur se vendimet e Qeverisë për targat janë të ligjshme dhe duhet të zbatohen.

“Ligjshmëria, respektimi dhe zbatimi i vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës janë rruga e duhur dhe e vetme në mbrojtjen e frymës dhe vet institucioneve, sundimin e rendit e të ligjit dhe garantimin e sigurisë publike. Ne kemi qenë gjithnjë në rrugën e drejtë si popull e shoqëri. As u kemi shkaktuar të tjerëve padrejtësi as i kemi mbështetur ato kur u kanë ngjarë popujve të tjerë. Njëjtë jemi dhe sot” – ka theksuar ai.

Nesër do të hyjë në fuqi faza e shqiptimit të gjobave për shoferët që nuk i kanë konvertuar targat e veturave nga ato ilegale në ato të Republikës së Kosovës.

Lidhur me çështjen e targave sot në Bruksel është janë zhvilluar bisedime disaorëshe mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, por siç ka njoftuar ndërmjetësuesi Josep Borrell nuk është arritur asnjë marrëveshje.