Sveçla: Serbia në panik, “Shkolla ruse” për destabilizim të Kosovës dhe rajonit po dështon
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se Serbia është në panik pasi po i dështon “shkolla ruse për destabilizim të Kosovës dhe rajonit”.
Sipas tij, Serbia po synon që të intensifikojë agresivitetin e luftës speciale kundër Kosovës duke kombinuar propagandën, operacionet subversive, ofensivën diplomatike përmes metodave të luftës hibride, sipas shkollës ruse.
“Dështimet e njëpasnjëshme të përpjekjeve destabilizuese, kanë acaruar Vuçiqin, Vuçeviçin, Vulinin, Radojçiqin, të cilët të dëshpëruar, po synojnë ende që “shkollën ruse” për destabilizim, ta implementojnë në rajon”- ka shkruar ai në Facebook më 07.09.2024.
Ministri Sveçla ka renditur disa prej dështimeve sipas tij, të Serbisë në Kosovë.
- Arritjen e qëllimeve politike përmes barrikadave në veri;
- Sulmin paramilitar/terrorist në Banjskë;
- Synimet për të nxitur trazira dhe konflikte në komunat në veri, përmes luftës hibride, lajmeve të rreme, inskenimeve dhe fushatave propaganduese;
- Synimet për të mbrojtur grupet e strukturuara kriminale, për qëllime politike dhe financiare/pastrimin e parave, kultivimin e drogave, trafikimin e armëve;
- Destabilizimin e Kosovës dhe rajonit përmes trafikimit masiv të armëve në komunat në veri të Kosovës;
- Synimet e vazhdueshme për inskenim të incidenteve ndaj serbëve (në jug), për ta fajësuar Kosovën, përmes:
– Strukturave të sigurisë së Serbisë;
– Shfrytëzimit të individëve me orientim radikal (fetar); dhe
– Grupeve kriminale në rajon;
- Fushatat e orkestruara për kinse ‘spastrimin etnik’, ‘krizën humanitare’, ‘sulmet ndaj serbëve’, kërcënimin nga ‘sundimi i ligjit dhe lëvizja e lirë’;
- Presionet e vazhdueshme ndaj qytetarëve të Kosovës pa dallim, me theks të veçantë ndaj qytetarëve serb, përmes represionit të shtetit, strukturave të sigurisë dhe grupeve terroriste/kriminale;
- Së fundmi, bllokimi i pikave kufitare përmes grupeve ekstremiste, radikale dhe terroriste, të sponsorizuara nga shteti.
Sveçla ka potencuar me tej se lista e dështimeve do të vazhdojë të rritet.
“Lista e dështimeve të tyre është e gjatë dhe do të vazhdojë të rritet, deri sa ta kuptojnë përfundimisht, që sovraniteti i Kosovës nuk mund të cënohet, orientimi Euro-Atlantik i rajonit, nuk ka kthim”- ka shkruar ai.
Më 07.09.2024, janë rihapur pikat kufitare në Bërnjak dhe Merdarë pasi ishin mbyllur një ditë më parë, më 06.09.2024.
Rreth 30 persona në Jarinjë e Bërnjak, diku rreth 50 persona në Kullë e Merdarë, dolën dhe iu bashkuan kërkesës për të protestuar dhe bllokuar rrugët matanë kufijve që ndajnë Kosovën me Serbinë, më 06.09.2024.
Kjo protestë u thirr para disa ditësh përmes rrjetit social “Telegram”. Aty u bë thirrje për pjesëmarrje në këto protesta për të bllokuar pikat kufitare nga Serbia me Kosovën.
Kërkesë e tyre është që institucionet që janë mbyllur në Kosovë, ku kanë funksionuar struktura paralele serbe t’u rikthehen qytetarëve serbë.
Në thirrjen në “Telegram” kërkohej nga ata që i bashkëngjiten protestës të marrin tenda me vete, ushqim e rroba.
Ndërrimi thuhej se do të bëhet çdo 12 orë i atyre që do të mbajnë të bllokuar pikën, dhe përveç veturave të emergjencave nuk do të lejohet qarkullim i veturave të tjera që nuk janë me tabela të Beogradit.
Ndaj kësaj situate, ka reaguar ministri i MPB-së, Xhelal Sveçla.
Të premten, më 06.09.2024, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se këto dy pikëkalime janë mbyllur për pasi persona të maskuar në pjesën serbe të kufirit po i “ndalojnë në mënyrë selektive e me qasje fashiste” qytetarët që duan të kalojnë transit përmes Serbisë.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës u pati bërë thirrje shtetasve të Kosovës dhe mërgatës kosovare t’i shmangin pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë gjatë udhëtimeve të tyre transit.
Më 30.08.2024, Qeveria mbylli pesë institucione paralele serbe në katër komunat me shumicë serbe, për të cilat tha se vepronin në kundërshtim me ligjet dhe kushtetutën e vendit.
Punëtorët e atyre institucioneve paralele kanë protestuar dy ditë kundër mbylljes së tyre dhe kanë kërkuar kthimin në vendet e punës.