Ilustrim - Foto: KALLXO.com

Sveçla reagon pas sulmit ndaj anëtarëve të “Kosovo Mountain Club” në Zubin Potok, kërkon hetimin e rastit

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas incidentit ndaj grupit “Kosovo Mountain Club” të cilët gjatë ecjes se tyre janë sulmuar me armë nga persona të panjohur në fshatin Kopilicë të Zubin Potokut.

Sveçla përmes një postimi në Facebook ka njoftuar që ka kërkuar nga Policia që rasti në fjalë të hetohet sa më shpejt.

“Me t’u njoftuar për ngjarjen, kam kërkuar nga Drejtori i Policisë së Kosovës që ky rast të hetohet sa më parë. Ky incident dhe të tjerët si ky, na tregojnë që sundimit i ligjit dhe gjendja e sigurisë publike në  komunat Veriore të vendit si: Mitrovica Veriore, Leposaviq,  Zveçan dhe Zubin Potok nuk është në nivel të kënaqshëm”, ka shkruar ministri Sveçla.

Ministri Sveçla ka theksuar se forcimi i rendit dhe sigurisë publike në të gjithë territorin e vendit është synim kryesor.

“Këtë mendojmë ta adresojmë përmes dy drejtimeve: së pari duke luftuar krimin dhe kontrabandën në atë pjesë të vendit dhe së dyti duke rritur bashkëpunimin me qytetarët tanë të cilët jetojnë në pjesën veriore të Kosovës, duke biseduar për shqetësimet e tyre të sigurisë, si dhe duke i adresuar ato”, ka theksuar ai.

Sipas tij aktivitetet e qytetarëve në Kosovë duhet të zhvillohen pa incidente të tilla.

“Do të kërkoj nga Policia e Kosovës rezultate konkrete drejt përmirësimit të situatës së sigurisë publike në veriun e vendit në mënyrë që të gjitha aktivitetet nga qytetarët e Republikës së Kosovës të zhvillohen pa incidente të tilla”, ka theksuar ai.

Edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka dënuar sulmin e armatosur ndaj grupit të të rinjve nga “Kosova Mountain Club” në malet afër Zubin Potokut.

Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka kërkuar nga organet e drejtësisë që të zbulohen dhe dënohet autorët e këtij sulmi.

“Çdo qytetar i Republikës së Kosovës duhet të ndihet i lirë dhe i sigurt gjatë lëvizjes në secilën pjesë të territorit të Kosovës. Ftoj organet e rendit dhe hetuesisë që të vazhdojnë punën në mënyrë që sa më parë të zbulojnë dhe dënojnë autorët e këtij akti kriminal që synon përhapjen e frikës dhe ndjenjës së pasigurisë në atë pjesë të vendit tonë”, ka shkruar Osmani.

Disa bjeshkatarë të cilët kishin shkuar për të ecur në male në Zubin Potok po pretendojnë se janë gjuajtur me armë zjarri gjatë rrugës së tyre. Zëvendësdrejtori i Policisë së Rajonit të Mitrovicës së Veriut, Besim Hoti, për KALLXO.com tregoi se si ka ndodhur rasti, duke shtuar se nga ky incident nuk ka të lënduar.

“Rreth 40 persona me autobus në mënyrë të organizuar, kanë ardhur nga ana e Zubin Potokut, me vazhdu ecjen nëpër male, sipas tyre dikush ka shtënë me armë zjarri dhe janë kthyer nga aty. Nuk është lënduar askush dhe nuk ka dëme të raportuara. Në kthim prapa e kanë taku një patrullë policore dhe i kanë shpjegu rastin, në stacionin policor nuk kanë pranuar të shkojnë me arsyetimin që deklaratat do t’i japin në Prishtinë”, tha Hoti.

Presidentja dënon incidentin me armë ndaj anëtarëve të “Kosova Mountain Club” në Zubin Potok