Sveçla: Qeveria do të jetë e pa kompromis në luftimin e të gjitha krimeve

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka pritur sot në takim ambasadorin e Italisë në Kosovë, Nicola Orlando, ambasadorin e Shqipërisë në Kosovës, Qemal Minxhozi, drejtorin e Policisë, Samedin Mehmeti, si dhe zyrtarët e tre shteteve që morën pjesë në operacionin e suksesshëm të konfiskimit të rreth 400 kilogramë të kokainës që u kapë dje në Lipjan.

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se pala italiane dhe ajo shqiptare, kanë vlerësuar lartë bashkëpunimin në mes tre vendeve, që bashkërisht në koordinim ndalën korridorin e depërtimit të substancave narkotike.

“Ministria e Punëve të Brendshme do të jetë e hapur për bashkëpunime ndërkombëtare të luftimit të çfarëdo krimi. Policia e Kosovës është e gatshme që të marr pjesë në secilin operacion. Ju garantoj se si Qeveri do të jemi të pa kompromis në luftimin e të gjitha krimeve, sepse vetëm kështu krijohet një klimë e mirëbesimit të qytetarëve ndaj institucioneve të zbatimit të ligjit”, ka thënë Sveçla.

Svçela në këtë takim ka falënderuar ekipet që morën pjesë në këtë operacion, duke vlerësuar se bashkëpunimi i mirë mes tre shteteve ka sjellë rezultate të jashtëzakonshme në luftimin e krimit transnacional.

KALLXO.com ka raportuar dje për drogën e konfiskuar në Lipjan, nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me Policinë e Shqipërisë dhe ata të Italisë.

Prokuroria kërkon paraburgimin e të dyshuarve në rastin e 400 kg kokainë