Sveçla: Projektligji i Pagave është në fazën përfundimtare

Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla ka raportuar sot në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal.

Sveçla në këtë Komison ka folur për Ligjin e Pagave dhe ka thënë se hartimi i këtij ligji tashmë është në fazën përfundimtare.

Ai ka thënë se për shkak të implikimeve financiare po vazhdojnë të punojnë me Ministrinë e Financave për të mbuluar nevojat.

“Është e qartë nëse i referohemi datave si numra kemi vonesë dhe kjo është për arsyen e vetme sepse po punojmë për një ligj qe mbulon sferën e nevojave për secilin institucion veç e veç. Për sa na përket ne si Ministri e Punëve të Brendshme ky ligj është përfunduar, tashmë është në fazën vlerësimit në ministrinë e financave”, ka thënë Sveçla sa i përket vonesës së këtij ligji.

Ndërsa deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Isak Shabani kërkoi nga ministri Sveçla që edhe sa i përket Ligjit për Inspektimin Administrativ se në cilën fazë ka arritur edhe sipas ministrit a do të mund të votohen kur të shkojnë në Kuvend.

“Ndërsa Ligji për Inspektimin Administrativ do të jetë më 30 qershor para jush, përmes të të cilit tentojmë të ngrisim nivelin dhe integritetin e secilit punonjës të administratës publike”, është përgjigjur Sveçla.

Tutje ministri Sveçla ka raportuar për disa punët e ministrisë së Administratës Publike që nga marrja e mandatit të tij në krye të kësaj ministrie.

“Që nga marrja e detyrës jemi përpjekur te sanojmë gjendjen. Konsideroj që nevojat për reforma të thella në administratën publike janë evidente. Jemi duke hartuar një mori ligjesh. Kemi dërguar në kuvend ligje që kanë të bëjnë me racionalizimit të agjencive. Gjatë periudhës mars 2021- mars 2022 janë trajtuar mbi 4 mijë nëpunës civil”, ka thënë Sveçla.

KALLXO.com kishte publikuar një mori shkrimesh nga propozim projektligjin e ri për vlerën e koeficientit të zyrtarëve publik.

Për shkak të mungesës së vlerës monetare të koeficientit, ishin publikuar vetëm numrat në bazë të pozitave të zyrtarëve shtetëror.

“Ministria e Punëve të Brendshme dëshiron të informojë qytetarët se vala e pseudolajmeve që po përhapen me shpejtësi në mediat tona rreth ligjit për pagat e zyrtarëve publik është e pavërtetë dhe qëllimkeqe. As nuk ka draft final të ligjit për pagat e zyrtarëve publik e as nuk ka ndonjë vlerë të koeficientit. Vlera e koeficientit nuk do të jetë pjesë e ligjit për pagat e zyrtarëve publik, meqë e njëjta përcaktohet me ligjin e buxhetit”, thuhej në reagimin e Sveçlës.

Më 30 qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kishte shpallur të pavlefshëm Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.

Sipas vendimit, ligji nuk ishte në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës.

Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese zyrtarët publikë nuk do t’i marrin pagat e rritura sipas Ligjit që ishte miratuar më 2019.

Më 6 dhjetor 2019, Ligjin për Paga në Gjykatën Kushtetuese e kishte dërguar Avokati i Popullit për vlerësimin e përputhshmërisë së tij me Kushtetutën.

Ligji për paga ishte miratuar në muajin shkurt të atij viti.Ky ligj rregullonte rritjen e pagave për 70 për qind të punëtorëve në sektorin publik, kurse 30 për qind mbeten jashtë.

Ligji ishte miratuar nga Qeveria e Kosovës, e cila drejtohej nga Ramush Haradinaj.