Sveçla për sulmin ndaj Policisë në veri: Përpjekjet e grupeve kriminale do të dështojnë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas incidentit në Zveçan, ku persona të dyshuar kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të patrullës policore, e cila ka qenë me detyrë zyrtare në lokacionin Banjskë – Izvor.

Sveçla ka thënë ka thënë se përpjekjet e grupeve kriminale për ta bërë veriun një zonë kriminale do të dështojnë.

Ai është shprehur se grupet kriminale të mbështetura nga Serbia po synojnë të krijojnë atmosferë frike dhe pasigurie duke shënjestruar zbatuesit e ligjit.

“Sërish patrulla e Policisë së Kosovës është qëlluar me armë zjarri. Grupet kriminale të mbështetura nga Serbia synojnë të krijojnë një atmosferë frike dhe pasigurie duke vënë në shënjestër zbatuesit e ligjit. Qëllimi i tyre përfundimtar: ta bëjnë veriun e Kosovës një zonë të paligjshme, të drejtuar nga grupet kriminale. Përpjekjet e tyre përfundimisht do të dështojnë”- shkruan Sveçla në Twitter.

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot nga persona të dyshuar është shtënë me armë zjarri në drejtim të patrullës policore, e cila ka qenë me detyrë zyrtare në lokacionin Banjskë – Izvor të komunës së Zveçanit.

Sipas njoftimit, fatmirësisht nuk raportohet për zyrtarë policorë të lënduar, përveç dëmeve materiale të shkaktuara në veturën zyrtare të Policisë së Kosovës, përkatësisht në dritaren/xhamin e automjetit zyrtar nga ana e majtë e vozitësit, i cili dyshohet të ketë qenë edhe cak i sulmit me armë zjarri.

Sulmohet me armë zjarri Policia e Kosovës në veri