Sveçla për raportin e PE-së: Kosova vlerësohet si shteti më demokratik në Ballkanin Perëndimor

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar lidhur me miratimin e raportit për Kosovën të Parlamentit Evropian ku, sipas tij, është vlerësuar progresi në forcim të demokracisë, sundimin e ligjit, veçanarisht operacionet e luftës kundër krimit të organizuar.

“Falënderoj Parlamentin Evropian për miratimin e Raportit për Kosovën i cili vlerëson lartë arritjen e progresit demokratik të Kosovës. Në raportin e votuar sot, vlerësohet progresi i bërë në forcimin e demokracisë, luftën ndaj krimit të organizuar dhe sundimin e ligjit. Raporti vlerëson arritjet e jashtëzakonshme të Kosovës në sektorë të ndryshëm, veçanërisht në fushën e punëve të brendshme dhe migracionit, rritjen e operacioneve të suksesshme që synojnë luftimin e krimit të organizuar përmes bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ndërkufitar”- është shprehur ai.

Sveçla tutje shton se vlerësimet pozitive dhe sugjerimet konstruktive të ofruara në raport do të shërbejnë si udhëzues i vlefshëm për rritjen e mëtejme të demokracisë, sundimit të ligjit, luftimit të krimit të organizuar dhe niveleve të larta të korrupsionit si dhe krijimin e një administrate të bazuar në meritokraci.

Ministri Sveçla theksoi se ndajnë shqetësime të përbashkëta lidhur me situatën në pjesën veriore të vendit. Sipas tij, edhe raporti përmend bandat kriminale me lidhje të ngushta me Partinë Progresive të Serbisë.

“Ndajmë shqetësimet e përbashkëta lidhur me situatën sfiduese në pjesën veriore të Kosovës, ku raporti rithekson se bandat kriminale në krye me Milan Radoiqic dhe Zvonko Veselinovic, në lidhje të ngushta me Partinë Progresive të Serbisë, paraqesin kërcënim serioz për qytetarët. Ky fakt theksohet edhe në raportin e Serbisë, specifikisht për lidhjet e tyre me grupet kriminale që veprojnë në veri të vendit tone”- ka shkruar Sveçla.

Sipas tij, Ministria e Punëve të Brendshme dhe agjencitë vartëse të saj janë dhe do të vazhdojnë të jenë plotësisht të angazhuara për luftimin e këtyre elementeve kriminale dhe garantimin e sigurisë dhe mirëqenies së të gjithë qytetarëve.

“Do të zbatohen masa për adresimin e shpejtë dhe efektiv të kësaj çështje, në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë”- shtoi Sveçla.

Ai potencoi edhe nevojën për luftim të korrupsionit të nivelit të lartë.

“Luftimi i korrupsionit të nivelit të lartë mbetet një çështje urgjente dhe ritheksojmë vullnetin tonë të fortë politik për të luftuar korrupsionin në të gjitha nivelet dhe pa dallim. Ashtu siç thekson edhe raporti, shpresojmë që edhe sistemi i drejtësisë të ndërmarrë veprimet e nevojshme në rritjen dhe zhvillimin e kapaciteteve të tyre që garantojnë rritje të efikasitetit dhe realizim të vullnetit tonë të përbashkët”- ka shkruar Sveçla.