Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në konferencë për media - 15 prill 2022, Foto: KALLXO.com

Sveçla për liberalizimin e vizave: S’do të lëmë gurë pa lëvizur që ta realizojmë këtë të drejtë të qytetarëve

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se do të realizojë takime dhe vizita shtesë në mënyrë që të bëjmë çdo gjë që është e mundur që ta realizojnë të drejtën e qytetarëve për lirinë e lëvizjes.

Sveçla në mbledhjen e Komisionit për Siguri, tha se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret e nevojshme për liberalizimin e vizave.

“Kam realizuar një numër të vizitave të cilat kryesisht ndahen në dy kategori. Bashkëpunime multilaterale në kuadër të iniciativave të ndryshme qoftë të BE-së qoftë të rajoneve dhe vizitave tematike. Tashmë ekziston një qëndrim publik se Kosova i ka plotësuar kriteret e nevojshme që të fitojë të drejtën e lëvizjes së lirë”, ka thënë ai.

Tutje Sveçla ka thënë se ka bërë vizita dhe takime me shtete të cilat janë vlerësuar si skeptike ose janë vlerësuar si vende që mund të ndikojnë pozitivisht.

“Në Francë jam takuar me homologun tim dhe ekziston një dakordancë e dyanshme, por edhe një vlerësim i tyre i drejtpërdrejt që kemi suksese të mëdha në këtë fushë dhe kriteret teknike janë plotësuar. Kjo është çështje e vendimmarrjes politike, çështje e raporteve të vendeve të ndryshme mes tyre që deri tash kanë qenë pengesë”, ka thënë Sveçla.

“Shumë shpejt unë pres vendimmarrje të drejt për këtë çështje. Ne do të realizojmë takime dhe vizita shtesë në mënyrë që të bëjmë çdo gjë që është e mundur, siç thotë populli, s’do të lëmë asnjë gurë pa lëvizur që këtë të drejtë të qytetarëve ta realizojmë”, është shprehur ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla.