Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Sveçla për aksionin në rastin “Brezovica”: Jemi të vendosur që të zbatojmë maksimalisht ligjin
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka përgëzuar Policinë e Kosovës, Prokurorinë dhe të gjitha institucionet e tjera për realizimin e aksionit të radhës në rastin “Brezovica”, ku janë sekuestruar rreth 100 objekte të ndërtuara.
Sveçla ka thënë se lufta ndaj krimit, korrupsionit dhe zhvatësve të pasurisë publike do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme.
“Jemi te vendosur që të zbatojmë maksimalisht ligjin dhe të gjithë shkelësit e keqpërdoruesit të vendosen para drejtësisë dhe organeve kompetente. Lufta jonë ndaj krimit, korrupsionit dhe zhvatësve të pasurisë publike do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme me të gjitha angazhimet e plota të organizmave tanë institucional në mbrojtjen efektive të së përbashkëtës” – ka thënë Sveçla.
Me urdhër të Prokurorisë së Shtetit, sot ka filluar sekuestrimi i rreth 100 objekteve në rastin e njohur në publik si ‘Brezovica’.
Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar prokurori i rastit, Rasim Maloku. Ai ka bërë të ditur se sekuestrimi i objekteve po bëhet në zonën e dytë të Parkut Kombëtar Sharri.
Dosja “Brezovica” deri më tani ka dërguar në burg mbi 30 persona, përfshirë zyrtarë të lartë shtetërorë përgjegjës për ndërtimin e mbi 500 vilave dhe hoteleve në zonën e mbrojtur të maleve të Sharrit.
Dosja ngre dyshime për një aferë ku besohet të jenë kërkuar mbi 20 milionë euro mito nga zyrtarë e kompani të ndryshme të ndërtimit.
FOTO – Dosja ‘Brezovica’, fillon sekuestrimi i rreth 100 objekteve në zonën e Parkut Kombëtar Sharri