Foto: KALLXO.com

Sveçla pas suspendimit të policëve thotë se rasti do të përcillet në prokurori

Komandanti i Stacionit Policor në Lipjan, një rreshter dhe dy hetues policorë janë suspenduar nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim të dokumentit zyrtar.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se të gjeturat e deritanishme do të përcillen në prokurori për trajtim penal.

Ai ka shtuar se nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se ka dyshime të bazuara për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar” dhe “Falsifikim i dokumentit zyrtar”.

“Sapo jam njoftuar se nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se ka dyshime të bazuara për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar” dhe “Falsifikim i dokumentit zyrtar”. Me këtë rast, IPK ka rekomanduar suspendimin e 4 zyrtarëve policor nga Stacioni Policor në Lipjan ndërsa nga Drejtoria Rajonale e Prishtinës është zbatuar ky rekomandim” – ka thënë ai.

KALLXO.com mëson nga burime brenda policisë së dy hetuesit policor dyshohet se kishin plotësuar formularë kinse kanë bërë monitoruar dhe vëzhguar urdhërin mbrojtës të Hamide Magashit.

Por plotësimi i formularit ka ndodhur pasi Hamide Magashi ishte vrarë nga bashkëshorti i saj.

KALLXO.com tutje mëson edhe se këto formularë janë shkruar nga hetuesit por nuk janë nënshkruar nga viktima pasi që kanë qenë të falsifikuara dhe të njëjtit asnjëherë nuk kanë qenë te e njëjta.

KALLXO.com raportoi se komandanti i Stacionit Policor në Lipjan, Naser Sinani, një rreshter dhe dy hetues policorë janë suspenduar nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim të dokumentit zyrtar.

Inspektorati Policor i Kosovës sipas detyrës zyrtare ka filluar hetim paraprak  mbi veprimet e ndërmarra policore në rastet që  policia ka trajtuar ndaj të dyshuarit S.H. për “Dhunë në familje” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim i paautorizuar i armës”.

Këto raste janë trajtuar nga Drejtoria Rajonale e Policisë Ferizaj, përkatësisht Stacioni Policor Shtime, si dhe  Stacioni Policor Lipjan, i cili ka qenë i ngarkuar me zbatimin e Urdhër-mbrojtjes e palës së mbrojtur H.M.

Veprimet tjera hetimore do të ndërmerren nga  hetuesit e IPK-së  në koordinim të plotë it me Prokurorinë e Shtetit.

Policët dyshohet se plotësuan formularët e mbikëqyrjes së urdhërit mbrojtës pas vrasjes së 35 vjeçares