Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Sveçla pas situatës në veri të Kosovës: Situata është e qetë, Policia po siguron lëvizjen e njerëzve dhe të mallrave
Për zhvillimet që po ndodhin në veri të vendit, bllokimin e dy pikave kufitare në Zubin Potok dhe angazhimit të Njësive Speciale të Policisë së Kosovës, ka reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Ai në llogarinë e tij në rrjetin social facebook, ka shkruar se së bashku me Policinë e Kosovës, në kuadër të aktiviteteve të zakonshme si dhe me qëllim të ruajtjes së rendit publik dhe kushtetues, është duke kryer veprime në të gjithat pikat kufitare.
“Veprimet kanë për qëllim zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë- konkretisht targave të automjeteve. Me këtë rast, MPB-ja, me qëllim të mundësimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve edhe pas skadimit të marrëveshjes së 14 shtatorit të vitit 2016, ka nxjerrë vendim që aranzhon dhe obligon pajisjen me targa të përkohshme për të gjitha automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Dhe njëkohësisht ka ndërmarrë të gjitha masat e domosdoshme për të reduktuar në maksimum pritjet në pikat kufitare”, ka shkruar ministri Sveçla.
Ai ka thënë gjithashtu se nga data 15 shtator nuk ka në qarkullim asnjë veturë të pajisur me targa valide “KS” dhe rrjedhimisht targat e vetme ligjore dhe me afat të lëshuara nga zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme janë ato me denominimin “RKS”.
“Situata është e qetë. Policia e Kosovës i ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme operative dhe logjistike që të mos pengojnë dhe vonojnë lëvizjen e njerëzve dhe të mallrave”, ka shkruar Sveçla në postimin e tij, të cilit i ka bashkëngjitur vendimin pë paisje me targa dhe një foto të targave valide në Kosovë me denominimin “RKS”.