Sveçla pas aksionit policor: Janë arrestuar 7 persona, vendi i kriminelëve është burgu

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas operacionit të sotëm policor lidhur me grabitjen e armatosur që ndodhi më 22 nëntor në Suharekë.

Sipas Sveçlës, gjatë zhvillimeve hetimore në këtë rast u arrestuan shtatë persona.

Ministri tha se sot është njoftuar që Policia e Kosovës pas një pune intensive hetimore ka lokalizuar plaçkitësit dhe ka realizuar operacionin e arrestimit të tyre.

Ai shtoi se njëri nga të dyshuarit ka shtënë drejt zyrtarëve duke plagosur një zyrtar policor dhe me këtë rast i dyshuari edhe është neutralizuar.

“Deri më tash janë arrestuar shtatë persona ndërsa Policia është në kërkim të personit tjetër të përfshirë në këtë rast” – tha i pari i MPB-së.

Ai shtoi se dy zyrtarëve policorë të cilët janë plagosur dhe zyrtarit të lënduar në reagim dhe arrestim të të dyshuarve të këtij rasti i uron shërim të shpejtë.

“Një javë më parë vendi ynë u terrorizua nga një plaçkitje e armatosur nga persona të maskuar në qendër të qytetit të Suharekës, ku një zyrtar policor mbeti i plagosur dhe një i lënduar” – tha Sveçla.

Tutje ai shtoi se akte të tilla janë absolutisht të papranueshme dhe përgjigjja e vetme ndaj kriminelëve të tillë është sjellja para drejtësisë.

Sipas Sveçlës, lidhur me këtë rast, Policisë së Kosovës i ka ofruar mbështetjen e tij të plotë institucionale si dhe ka kërkuar nga ta angazhim maksimal në zbardhjen e këtij rasti.

Ministri tutje shtoi se vendi i kriminelëve është burgu dhe se ky është mesazh i qartë dhe i prerë që duhet të marrë kushdo që tenton që për çfarëdo arsye të destabilizojë sigurinë në vendin tonë.

Sipas ministrit, krimet nuk do të mbesin pa u ndëshkuar sepse ai tha se Republika e Kosovës nuk do ta lejojmë të bëhet vend i pasigurisë, duke shtuar se rendi dhe ligji do të mbizotërojnë në çdo cep të vendit.

(Ky artikull është edituar aty ku flitet për numrin e të arrestuarve pasi që ministri Sveçla e ka korrigjuar postimin e tij)