Sveçla nënshkruan marrëveshjen për pagesën e policës kufitare për bashkatdhetarët

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit, për krijimin e lehtësirave për hyrje në territorin e Republikës së Kosovës për bashkatdhetarët dhe të huajt. Sipas komunikatës së lëshuar nga kjo ministri thuhet se në këtë marrëveshje Qeveria e Republikës së Kosovës merr përsipër mbulimin e plotë të primit të sigurimit kufitar, për palët që janë subjekt i policës kufitare dhe që do të vijnë në Kosovë përgjatë vitit 2021.

“Në bazë të kësaj marrëveshje pagesa e primit të policës së sigurimit do të bëhet për të gjitha autoveturat dhe motoçikletat që hynë në pikat kufitare të Republikës së Kosovës dhe do të mbulohet një qind për qind (100%) nga Qeveria e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Kjo marrëveshje e bashkëpunimit është lidhur mes Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Bankës Qendrore të Kosovës dhe Byrosë Kosovare të Sigurimit.

Më 22 qershor, Qeveria e Kosovës ka miratuar propozimin e ministrit të Financave Hekuran Murati për mbulimin e plotë të obligimeve të Sigurimit Kufitar nga Qeveria e Republikës së Kosovës për gjithë bashkatdhetarët që janë subjekt i polices kufitare dhe vijnë në Kosovë deri në fund të vitit 2021.

Qeveria do të mbulojë policën e sigurimit kufitar për diasporën