Sveçla: Në asnjë moment kufiri i Shqipërisë nuk ka qenë i mbyllur gjatë Qeverisë Kurti

Ish-zëvendësministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka thënë se kufiri me Shqipërinë nuk ka qenë asnjëherë i mbyllur nga Qeveria Kurti dhe se kufizimet në qarkullim kanë qenë të njëjtat për të gjitha vendet.

“Në asnjë moment kufiri i Shqipërisë nuk ka qenë i mbyllur gjatë qeverisë Kurti. Në çdo pikë kufitare me të gjitha vendet kanë qenë të njëjtat kufizime në qarkullim, për shkak të pandemisë, por kurrë jo i mbyllur. Masat janë të publikuara në faqet zyrtare të qeverisë dhe ministrive, e lehtë mund të shohin të gjithë se kurrë kufiri me Serbinë, gjatë qeverisë Kurti nuk ka qenë më i hapur se me atë të Shqipërisë”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Më tej Sveçla ka thënë se akuzën për mbylljen e kufirit me Shqipërinë është duke e bërë Qeveria e cila lejoi që në Kosovë të hyjnë kamionë me dokumente “Kosovo e Metohija”.

“Kështu edhe zëdhënësit e qeverisë Koti të subjekteve humbëse, paskan sulmuar qeverinë Kurti, se kinse kufiri me Shqipërinë paska qenë i mbyllur e ai me Serbinë i hapur. Kush e bën këtë akuzë? Qeveria e cila sapo u përshëndet nga Vuçiqi për veprimin e rrallë në botë, ku hoqën dorë vetë nga reciprociteti, dhe lejuan që Serbia të hyjë në Kosovë me dokumentet “Kosovo i Metohija””, ka shkruar më tej Sveçla.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës është marrë vendim që nga nesër do të lejohet qarkullimi i plotë brenda në Kosovë dhe po ashtu edhe me Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që nga e hëna qytetarët që hynë në Kosovë nuk do t’i nënshtrohen vetizolimit 7 ditor.

Më poshtë mund të lexoni postimin e plotë të Sveçlës:

Diktatorët, nga Hitleri te Stalini, kanë pasur një parim kryesor në propagandën e tyre: “Akuzoji kundërshtarët e tu për atë çka ti vetë bën”.

Kështu edhe zëdhënësit e qeverisë Koti të subjekteve humbëse, paskan sulmuar qeverinë Kurti, se kinse kufiri me Shqipërinë paska qenë i mbyllur e ai me Serbinë i hapur. Kush e bën këtë akuzë? Qeveria e cila sapo u përshëndet nga Vuçiqi për veprimin e rrallë në botë, ku hoqën dorë vetë nga reciprociteti, dhe lejuan që Serbia të hyjë në Kosovë me dokumentet “Kosovo i Metohija”.

Sado që propaganda synon të luajë me emocionet, ky është sulm “i budallëm”. S’e ha kush.

Në asnjë moment kufiri i Shqipërisë nuk ka qenë i mbyllur gjatë qeverisë Kurti. Në çdo pikë kufitare me të gjitha vendet kanë qenë të njëjtat kufizime në qarkullim, për shkak të pandemisë, por kurrë jo i mbyllur. Masat janë të publikuara në faqet zyrtare të qeverisë dhe ministrive, e lehtë mund të shohin të gjithë se kurrë kufiri me Serbinë, gjatë qeverisë Kurti nuk ka qenë më i hapur se me atë të Shqipërisë. Përkundrazi.

Pikërisht gjatë qeverisjes sonë u arrit që secili automjet e kamion që vinte nga Serbia të kishte dokumentacionin me emërtimin zyrtar “Republika e Kosovës”, gjë që e ka mërzitur shumë Vuçiqin prandaj i angazhoi shërbëtorët për ta rikthyer situatën aty ku ishte para qeverisë Kurti.

Unë e kuptoj sikletin e partive humbëse, të cilat duan me çdo kusht ta sulmojnë LVV që është Qeveria Alternative e vetme që ka pasur Kosova, mirëpo besoj se një minimum etike duhet të ketë.

Apo po kërkoj shumë?