Foto: ZKM

Sveçla: Mitrovica e Veriut dhe Zveçani janë në karantinë me vendim të MSH-së

Ushtruesi i Detyrës së Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se Mitrovica e Veriut dhe e Zveçani janë vendosur në karantinë me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës.

“Komuna veriore e Mitrovicës dhe komuna e Zveçanit janë vendosur në karantinë për shkak të 16 rasteve të testuara pozitivisht me Covid-19. Sipas vlerësimeve dhe kërkesave të ekspertëve shëndetësorë, Ministri i Shëndetësisë, z. Arben Vitia, në bashkërendim me të gjitha Institucionet ka ndërmarrë vendimet dhe masat e duhura gjithnjë. Ai është në kontakt dhe komunikim të vazhdueshëm me dy kryetarët e këtyre dy komunave dhe autoritetet përgjegjëse”, ka shkruar Svecla në Facebook.

Ai ka shtuar se janë në bashkëpunim me KFOR-in për menaxhimin e situatës.

“Unë, si ushtrues i detyrës së Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, dhe Drejtori i Policisë së Kosovës, z. Rashit Qalaj, jemi në koordinim të plotë me Ministrin Vitia. Po ashtu bashkëpunimi me KFOR-in është permanent dhe tejet i mirë. Të gjitha institucionet përgjegjëse po përcjellin situatën pandërprerë në mënyrë që reagimi i tyre të jetë konform gjendjes”, ka thënë Svecla.

“Po bëjmë gjithçka tërë kohën për të parandaluar përhapjen e Coronavirusit, i cili nuk njeh kombësi, fe, rajon apo moshë. Jemi të përkushtuar që t’ju shërbejmë të gjithë qytetarëve pa kurrfarë dallimi”, ka shtuar më tej.

U.D i Ministrit të Punëve të Brendshme po ashtu u bëri apel qytetarëve që të ndjekin informatat nga IShPK.

“Shteti ynë ndodhet para sfidës me të cilën shumë vende në mbarë globin po ballafaqohen. Mbrojtja e shëndetit dhe jetës së qytetarëve ndodhet mbi të gjitha. Që ne të jemi sa më të sukseshëm në këtë qëllim ne ftojmë të gjithë të kontribuojmë në tejkalimin e kësaj situate duke përsëritur apelet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik e jo duke shpërndarë dezinformata apo informata të paverifikuara”, tha në fund ai.

Sot, presidenti i Kosovës, HashimThaçi  ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për papërgjegjshmëri në komunat veriore.

“Qeveria e Republikës së Kosovës nuk guxon të lejojë që komunat në pjesën veriore të Kosovës të funksionojnë jashtë kontrollit menaxhues të institucioneve dhe organeve kompetente për parandalimin e pandemisë COVID-19, duke iu krijuar kështu hapësirë ilegale vepruese autoriteteve të Serbisë brenda territorit të shtetit tonë”, ka thënë ai.

Edhe opozita ka drejtuar të njëjtat kritika drejt Qeverisë për këtë.

Thaçi akuzon Qeverinë e Kosovës për papërgjegjshmëri në komunat veriore

Mitrovica e Veriut dhe Zveçani dje janë shpallur zonë karantine, pas disa rasteve të shënuara me COVID-19.

Në Mitrovicë të Veriut janë gjithsej 14 persona të shënuar me COVID-19 kurse në Zveçan janë 6.

Numri i përgjithshëm i i të infektuarve me COVID-19, në vendbanimet serbe në Kosovë është 22.

Pesë raste të reja me coronavirus në Mitrovicë të Veriut

www.kallxo.com