Sveçla: Milicia fashiste vazhdon të sulmojë qytetarët e pafajshëm në veri

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka reaguar lidhur me sulmin ndaj dy qytetarëve shqiptarë të cilët u sulmuan sot nga persona të dyshuar në Mitrovicë të Veriut.

Sveçla tha se ata u sulmuan nga milicia fashiste e orkestruar dhe dirigjuar nga Beogradi.

“Milicia fashiste vazhdon të sulmojë qytetarët e pafajshëm në veri të vendit tonë. Dy qytetarë shqiptarë janë sulmuar brutalisht në sheshin e Mitrovicës së Veriut nga milicia fashiste e orkestruar dhe dirigjuar nga Beogradi”- ka shkruar ai.

Svçela tutje ka thënë se ky akt dhune dhe huliganesk duhet të dënohet ashpërsisht.

“Përgjegjësit kriminelë shumë shpejt do të vihen para drejtësisë. Këta milicë nuk do të mund ta minojnë rendin juridik dhe kushtetues të Republikës”- ka shtuar ai.

KALLXO.com ka siguruar pamjet të momentit të sulmit ndaj tyre dhe sjell videon ekskluzive.

Në momentet e sulmit, pak metra më larg shihen edhe karabinerët italianë, të cilët nuk ndërhyjnë ndonëse qytetarët sulmohen rëndë nga të dyshuarit.

Policia e Kosovës ndërkaq ka intervenuar në këtë rast.

Dy qytetarët shqiptarë pësuan lëndime nga sulmi dhe morën trajtim mjekësor.

Policia në një komunikatë për media theksoi se “viktimat janë sulmuar nga një grup kriminelësh” të cilët kanë qenë të maskuar dhe të organizuar për sulmin e kryer.

“Njësitet policore kanë intervenuar menjëherë për të parandaluar sulmin, përderisa personat e dyshuar kanë ikur në drejtime të ndryshme të qytetit të Mitrovicës Veri. Si pasojë e sulmeve dy viktimat kanë pësuar lëndime trupore dhe të njëjtit janë dërguar për trajtim mjekësor”- njofton tutje Policia.

Pamje ekskluzive – Rrahja e dy shqiptarëve në Mitrovicë të Veriut – VIDEO