Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla (Djathtas), Foto: Ministria e Punëve të Brendshme

Sveçla: Lufta kundër korrupsionit, sfida më e madhe për Kosovën

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka deklaruar se lufta kundër korrupsionit mbetet sfida më e madhe jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin.

Kështu është shprehur ai në një takim virtual të ministrave të Punëve të Brendshme të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit.

“Lufta kundër korrupsionit mbetet sfida më e madhe jo vetëm për vendin tonë, por edhe për rajonin. Rrjedhimisht, që nga dita e parë e marrjes së mandatit jemi duke punuar me të gjitha kapacitetet tona për të parandaluar dhe luftuar këtë fenomen në gjitha nivelet shtetërore dhe shoqërore” citohet të ketë thënë Sveçla, sipas një njoftimi të MPB-së.

Sipas njoftimit, ministri ka folur edhe për sfidat e migrimit në kohë pandemie.

Ai tha se pandemia ka ndikuar shumë në uljen e migrimit të parregullt, si rezultat i masave të ndërmarra  nga shtetet e ndryshme.

“Trendet rreth emigrimit të parregullt dhe numri i aplikuesve nga Republika e Kosovës, tregojnë  një rënie të konsiderueshme në vazhdimësi (2015-2020)”, ka theksuar Sveçla.

Qeveria Kurti ka theksuar se e ka prioritet luftën kundër korrupsionit.