
Konferenca për media e kryeminsitrit Albin Kurti dhe ministrit të Brendshëm Xhelal Sveçla për situatën në veri, 7 nëntor 2022, Foto: KALLXO.com
Sveçla: Kryetarët e komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq sot janë vendosur në zyrat e tyre
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka deklaruar se pas ceremonive të djeshme të betimit, sot kryetarët e komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, janë vendosur në zyrat e tyre në objektet komunale.
Sveçla thotë se kryetarët do të vazhdojnë mandatin e tyre duke qenë në shërbim të të gjithë qytetarëve.
“Pas ceremonive të djeshme të betimit të Kryetarëve të komunave veriore, kryetarët e komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq sot janë vendosur në zyrat e tyre në objektet komunale. Ata do të vazhdojnë mandatin e tyre duke qenë në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim” – ka deklaruar Sveçla.
Sveçla po ashtu ka konfirmuar se pesë pjesëtarë të Policisë janë lënduar teksa shton se lëndimet janë të lehta.
“Përgëzoj Policinë e Kosovës për profesionalizmin e treguar në ballafaqimin me grupe të organizuara kriminale, që kishin për qëllim pengimin e këtij procesi. 5 pjesëtarë të policisë janë lënduar nga sulmet e këtyre grupeve por që fatmirësisht lëndimet janë të lehta, ata ndihen mirë dhe janë në detyrë” – ka shkruar tutje Sveçla.
“Ftoj të gjithë qytetarët tanë që të mos bien pre e manipulimeve të grupeve kriminale të cilët për hir të përfitimeve kriminale personale e grupore dëshirojnë kaos dhe suspendim të shtetit të së drejtës e të demokracisë”- shton ai.
Që nga mesdita, në katër komunat e veriut të vendit është dëgjuar alarmi, ndërsa pranë disa objekteve komunale, si në Zveçan e në Zubin Potok, janë parë qytetarë të cilët kanë kundërshtuar futjen e kryetarëve të zgjedhur në objektet komunale.
Pesë policë të Kosovës kanë pësuar lëndime të lehta trupore, pasi janë sulmuar nga protestuesit në Zveçan me mjete të forta dhe shok-bomba, ka konfirmuar Policia e Kosovës.
KALLXO.com po raporton në kohë reale nga veriu i Kosovës.
LIVE – Zhvillimet e fundit në veri