Një nga pikat kufitare

Sveçla konfirmon pagesën që kamionët bëjnë në hyrje të kufijve me qëllim të dezinfektimit

Nga sot, të gjithë kufijtë tokësorë të Kosovës janë rihapur, pas vendimit i cili është marrë nga Qeveria në detyrë e Kosovës.

Pikat kufitare që janë hapur sot janë pikat kufitare në Merdare, Vërmicë, Kullë, Hani i Elezit, Dheu i Bardhë dhe Jarinjë.

Por, secili kamion i cili hyn përmes këtyre kufijve në Republikën e Kosovës do të bëjë një pagesë, me qëllim të dezinfektimit të automjetit, si masë parandaluese nga COVID- 19.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com edhe ministri në detyrë i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla.

“Po është e vërtetë, ky është një vendim i marrë nga Ministria e Infrastrukturës por që është implementuar nga ministria jonë”, ka thënë Sveçla për KALLXO.com.

Ministri në detyrë ka bërë të ditur se ky vendim është marrë më herët në kuadër të masave të ndërmarra për parandalimin e Covid-19, por që për shkak të procedurave nuk ka qenë e mundur të zbatohet.

“Është vendim i cili është marrë nga ministria në kuadër të masave për Covid-19, por kanë zgjatur procedurat”, ka thënë Sveçla.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se MPBAP është në diskutim që kjo masë të hiqet sa më shpejtë.

“Jemi në diskutim me Ministrinë e Infrastrukturës që kjo masë të hiqet”, ka thënë Sveçla.

Sveçla tha se pagesa bëhet në tri kategori, në bazë të madhësisë së kamionëve, ku ka thënë se pagesa me e lartë është 22 euro, oër automjetet të cilat janë mbi 20 tonë.

Sot janë rihapur të gjithë kufijtë tokësor në vendin tonë, pas vendimit për mbylljen e pikave kufitare, i cili ishte marrë nga autoritetet e Kosovës më 13 mars të këtij viti në kuadër të masave parandaluese kundër përhapjes së coronavirusit.

Nga nesër hapen: Çerdhet, kopshtet, restorantet, qendrat tregtare, kufijtë tokësorë…