Sveçla kërkon nga qytetarët t'i zbatojnë vendimet e reja

Xhelal Sveçla, ushtrues detyre i ministrit të Punëve të Brendshme, kërkoi nga qytetarët që t’i zbatojnë kufizimet e prezantuara sot nga ministri i Shëndetësisë.

“MPB është angazhuar të vë në zbatim të gjitha vendimet e qeverisë me qëllimin e vetëm që të mbrojmë jetën e qytetarëve. Unë ju lus që ti zbatoni këto vendime, ju lus që të ndihmoni policinë tonë e cila është e angazhuar që të ju mbroj juve. Ne po bashkëpunojmë me inspektoratet që puna të jetë efikase dhe pres që qytetarët të jenë bashkëpunues”, tha ai.

Ministria e Shëndetësisë sot ka marrë vendim që nga e mërkura qytetarët ti kenë vetëm 1 orë e 30 minuta në dispozicion gjatë ditës për ti kryer shërbimet e tyre.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka prezantuar një sërë masash të reja që janë marrë, e të cilat do të hynë në fuqi të mërkurën në ora 6 të mëngjesit.

Tani më vetëm një orë e gjysmë kanë në dispozicion qytetarët për t’i kryer shërbimet e tyre, ndërsa për personat në moshën mbi 65 vjeçare është kërkuar që të mos dalin fare nga shtëpitë e tyre.

Vendimet të cilat i tha Vitia janë si në vijim:

Prej datës 15 prill, ndalohet qarkullimi i personave fizik, për personat fizik mbi moshën 16 vjeçare lejohet qarkullimi për furnizim me mallra të domosdoshme, dhe për të kryer detyrat dhe nevojat financiare për vetëm 1 orë e gjysmë në ditë në bazë të shifrës së fundit të numrit personal.

Për ata që nuk janë shtetas të Kosovës orari përcaktohet në bazë të numrit të fundit të shifrës së pasaportës.

Gjatë qarkullimit të personave fizik nuk lejohet shoqërim përveç në dy raste, nëse kanë aftësi të kufizuara dhe personat nën 16 vjeç

Për shkak të rrezikshmërisë së lartë, personat mbi moshën 65 vjeçare të mos dalin nga shtëpia, banesa.