Sveçla: Kemi goditur 50 grupe kriminale në vend

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka vlerësuar se ministri që ai e drejton e ka përmbyllur me sukses vitin e parë.

Në raportimin e tij në komisionin për siguri, Sveçla tha se në koordinim më institucionet e drejtësisë kanë goditur 50 grupe kriminale.

“Konsideroj që ministria e punëve të brendshme vitin e parë qeverisës e përmbylli me suksese të dukshme në fushën e sigurisë. Brenda një viti Policia e Kosovës me njësitet e saj ka zhvilluar rreth 1 mijë operacione policore, nga të cilat mbi 50 grupe të ndryshme kriminale janë goditur, mbi 1 ton substanca narkotike janë sekuestruar dhe janë ngrirë rreth 14 milionë euro”, tha ai.

Ministri Sveçla poashtu tha se kanë shënuar rritje të aksioneve për të luftuar krimin e organizuar dhe kontrabandën.

“Në operacione të ndryshme të ndërmarra Policia e Kosovës ka arrestuar mbi 12 mijë persona, dhe ka ndaluar 4200 të dyshuar për përfshirje në akte të ndryshme kriminale, progres është arritur në fushën e kontrabandat me narkotik mbi 52 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë paraprake si dhe në fushën e korrupsionit 87 për qind, ndërsa në fushën e krimeve të rënda ka pasur shtim të aktiviteteve të rasteve për 143 për qind”, tha ai.

Ministri Sveçla në raportimin e tij poashtu përmendi edhe sulmet ndaj policisë së Kosovës në Veri për të cilat tha janë duke punuar për ti zbardhur këto raste.