Foto: KALLXO.com

Sveçla: Kemi dëshmi të presionit nga Serbia mbi qytetarët serb në Kosovë për të protestuar

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka thënë se posedojnë dëshmi të presionit nga strukturat paralele serbe ndaj banorëve serb në Kosovë, që t’u bashkohen protestave në veri të vendit, pas vendimit të MPB-së për targa.

“Kemi dëshmi të presionit të ndryshëm nga strukturat paralele, institucioneve dhe instruksioneve nga Serbia ndaj banorëve me nacionalitet serb në Kosovë, që t’u bashkohen protestave që janë duke vazhduar në veri. Ato që dëshmitë tregojnë se këto presione e apele nuk po kanë sukses e janë duke ju dështuar”, tha ai.

Ministri shtoi se dezinformatat nga Serbia nuk do të arrijnë të ndalojnë zbatimin e vendimeve të Qeverisë së Kosovës.

“Pas vendimit për targat ata janë duke përhapur lajme të rreme sa i përket sigurisë në komunat e veriut me qëllim të destabilizimit të situatës. Me këtë rast ju bëjmë me dije se MPB-ja është garancë e veprimeve sovrane të Qeverisë dhe pavarësisht tendencave për shtrembërim, ato nuk do të ndikojnë në zbatimin e vendimeve të Kosovës”, tha ai.