Sveçla: Ju siguroj se do të kujdesemi që të garantojmë mbrojtjen e rendit kushtetues

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se si ministër siguron qytetarët e vendit se do të kujdeset maksimalisht për të garantuar mbrojtjen e rendit kushtetues, integritetit territorial dhe ofrimin e sigurisë.

Në rrjetin social ‘Facebook’, Sveçla ka thënë se Serbia po vazhdon fushatën manipuluese ndaj qytetarëve serb të Kosovë, e kjo sipas tij, duhet të marrë fund.

“Qeveria e Kosovës, ka bërë të qartë që qytetarët serb mund ta ushtrojnë të drejtën e tyre duke votuar me postë, në Zyrën Ndërlidhëse apo duke shkuar për të votuar në vendvotimin e tyre në Republikën e Serbisë. E njëjta mënyrë  tashmë është përcaktuar edhe nga shtetet tjera demokratike…”, ka shkruar ai.

Tutje, Sveçla ka përshëndetur qendrimin e përbashkët të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilët miratuan sot rezolutën kundër mbajtjes së referendumit të Serbisë, në Kosovë.

“Me këtë rast dëshiroj të shprehë falënderimin dhe vlerësimin tim për Policinë e Kosovës, Doganën e Prokurorinë, për profesionalizimin dhe koordinimin e treguar mbrëmë, në ndalimin e futjes së materialit për referendumin që do të mbahet në Serbi”, ka shkruar në fund ministri Sveçla.