Pika kufitare në Jarinjë. Foto: KALLXO.com

Sveçla: Janë larguar të gjitha barrikadat, hapen pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka njoftuar janë larguar të gjitha barrikadat e ngritura në rrugët që çojnë drejt pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak. Si rezultat i kësaj, dy pikat kufitare janë hapur për qarkullimin e qytetarëve.

“Barrikadat e vendosura nga strukturat ilegale serbe mbrëmë, 15 minuta pas lëshimit të sistemit të alarmit dhe të shpërndara në 9 lokacione të ndryshme në veriun e vendit, tashmë janë larguar plotësisht nga vetë ata. Liria e lëvizjes është e plotë dhe pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak janë të hapura për qytetarët”, ka shkruar ai në facebook.

Sveçla ka thënë se sulmet dhe bllokadat në veri ishin të udhëhequra nga Beogradi dhe se ato nuk i shërbejnë stabilitetit.

“Sulmet e tilla nuk i kontribuojnë stabilitetit të vendeve tona dhe rajonit sepse mbi të gjitha Qeveria jonë ka marrë dy vendime duke respektuar ligjet vendore dhe ndërkombëtare”, ka shkruar ai.

“Siç jemi zotuar edhe mbrëmë, si Qeveri e Republikës së Kosovës, me largimin e barrikadave dhe sigurimin e lirisë së lëvizjes për qytetarët tanë, ne e zhvendosëm zbatimin e vendimeve për datën 1 shtator 2022, me qëllim të ruajtjes së stabilitetit në vend dhe rajon”, ka theksuar ai.

Sveçla ka përgëzuar Policinë e Kosovës për punën e bërë.

“Dua edhe një herë të përgëzoj të gjithë zyrtarët policorë të angazhuar në këtë operacion, të cilët edhe në këto momente janë duke kryer detyrat me përkushtim dhe profesionalizëm në vendosjen e rendit dhe ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës sonë pa dallim”, ka thënë ai.

Gjatë ditës së djeshme, një ditë para se të hynin në fuqi dy vendimet e Qeverisë së Kosovës, grupe të organizuara serbësh bllokuan rrugët që çojnë drejt pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Kryeministri Albin Kurti përmes një deklarate mbrëmë tha se përgjegjësit kryesorë për tensionet në veri janë Aleksandar Vuçiq dhe Petar Petkoviq.

Ndërsa Qeveria e Kosovës pas takimit me ambasadorin amerikan ka deklaruar se jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të reciprocitetit deri më 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës.