Ilustrim

Sveçla: Janë arrestuar edhe dy të dyshuar për dhunimin seksual të 11-vjeçares

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se janë arrestuar edhe dy persona të tjerë në lidhje me dhunimin seksual të 11-vjeçares në Prishtinë.

“Nga Policia e Kosovës kam kërkuar angazhim maksimal për arrestimin sa më të shpejtë të të gjithë kryesve të këtij akti makabër dhe sapo u njoftova se janë arrestuar edhe 2 të tjerë” – ka treguar Sveçla i cili ka theksuar se me shqetësim e ka pranuar lajmin për dhunimin e një vajze të mitur, 11-vjeçare, nga 5 persona për disa orë me radhë.

“Koordinimi i të gjitha organeve kompetente është i domosdoshëm sepse nuk ka asnjë dilemë që dënimi ndaj këtyre kriminelëve duhet të jetë maksimal. Nuk duhet dhe nuk do të tolerohet asnjë veprim që cënon jetën, integritetin dhe mirëqenien e të gjithë qytetarëve tanë. Vendi ynë duhet dhe do të jetë vend i sigurtë për të gjithë, sidomos për vajzat dhe gratë, dhe nuk ka asnjë alternativë tjetër” – ka vijuar ministri.

Me këta dy shkon në katër numri i të arrestuarve për dhunimin e 11-vjeçares.

Dyshimet janë se në dhunimin që ka ndodhur të shtunën kanë marrë pjesë 5 të dyshuar.