Armatimi i sekuestruar në veri. Foto: Adelina Ahmeti KALLXO.com/30.11.2024
Sveçla: Janë arrestuar dhe shoqëruar në Polici tetë persona
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se që nga mëngjesi i sotëm, 30.11.2024, janë arrestuar dhe shoqëruar në Polici tetë persona, si dhe janë realizuar kontrolle në 10 lokacione të ndryshme në veri të Kosovës.
“Siç është bërë e ditur pas hetimeve intensive sot në orët e mëngjesit në 10 lokacione janë realizuar kontrolle me ç’rast janë arrestuar dhe shoqëruar në stacione policore 8 persona të dyshuar për përfshirje në veprime kriminale e terroriste” – ka njoftuar Sveçla.
Ai shtoi se sulmet e vazhdueshme siç janë këto të fundit në Zveçan me granat dore e edhe sulmi terrorist i ndodhur mbrëmë, më 29.11.2024, ku u dëmtua rëndë kanali i ujit në Ibër-Lepenc janë të dirigjuara nga Serbia.
“Pas këtij sulmi që cilësohet më i rëndi ndaj infrastrukturës që nga përfundimi i luftës, të gjitha institucionet kanë bashkërenduar aktivitetet e tyre në teren” – tha Sveçla.
Madje, sipas tij, ky sulm nuk është i rëndomtë, por është i planifikuar mirë nga organizatat që janë profesioniste e që shkaktojnë dëme të tilla.
Një shpërthim ka ndodhur më 29.11.2024 në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Vrragë të komunës së Zubin Potokut.
Qeveria e Kosovës thotë se ky sulm është dirigjuar e orkestruar nga Serbia e i kryer nga profesionistë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka konfirmuar se tashmë janë bërë arrestimet e para në lidhje me këtë rast. Këtë sulm e kanë dënuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Europian.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian, Joseph Borrel e ka quajtur sulm terrorist shpërthimin në kanalin ujor të Ibër Lepencit në Varagë të Zubin Potokut.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar më 30.11.2024 se pavarësisht dëmtimit që shpërthimi shkaktoi në kanalin e Ibër-Lepencit, kanë arritur të sigurojnë energji elektrike për vendin përmes vendosjes së gjashtë gypave të përkohshëm, me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit “Kosova B”.
Për këtë çështje, Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme në orën 1:30 të mëngjesit të sotëm (30.11.2024), ku ka diskutuar për këtë shpërthim. Në mbledhje, sipas një komunikate për media, u fol për ndërlidhjen e mundshme të rastit të djeshëm, me një sulm të ngjashëm rus në Ukrainë javën e kaluar.
Në këtë mbledhje janë diskutuar edhe masat emergjente që janë marrë dhe po merren për të zbutur pasojat e sulmit dhe për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike në vend.
Ndërkohë, ekipe të Misionit Paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë dalë më 30.11.2024 në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur shpërthimi. Të gjitha lajmet rreth situatës pas shpërthimit në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit mund t’i lexoni në artikullin e mëposhtëm.