Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në konferencë për media - 15 prill 2022, Foto: KALLXO.com

Sveçla: Institucionet e Kosovës i kanë të gjitha kapacitetet për t'i larguar barrikadat

Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, ka thënë se çdo çast i kaluar nën bllokim të barrikadave të ngritura është i tepërt.

“Institucionet e Republikës së Kosovës i kanë të gjitha kapacitetet për ti larguar barrikadat dhe në koordinim me partnerët tanë ndërkombëtar janë duke vlerësuar situatën për reagim adekuat” – thuhet në postimin e ministrit Sveçla.

Më tej ai ka thënë se veriu duhet t’i kthehet normalitetit.

“Veriu i vendit tonë, si çdo cep i Republikës sonë duhet të kthehet sa më shpejtë në normalitet” – ka përunduar ai.

Ministri Sveçla ka potencuar se nga qytetarët e veriut që janë të bllokuar nga barrikadat tash e një javë po kërkohet me ngulm heqja e barrikadave dhe zhvillimi i jetës pa pengesa.

Prej ditësh, në veri të vendit situata është tensionuar. Më 6 dhjetor zyret e Komisionit Komunal Zgjedhor janë sulmuar me shok-bomba dhe me një granatë dore që sipas Policisë ishte e prodhuar në ish-Jugosllavi.

Më 10 dhjetor 2022 pasdite në veri janë dëgjuar alarmet. Pas këtyre alarmeve ka pasur grumbullim të qytetarëve serbë dhe bllokim të rrugëve me barrikada në Rudarë.

Policia e Kosovës ka njoftuar se për shkak të bllokimit të rrugëve ka mbyllur për qarkullimin në pikën kufitare në Jarinjë dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që të përdorin pika të tjera kufitare për të hyrë në Kosovë ose për të dalë nga Kosova.

Bllokimi i rrugëve ka ardhur pas njoftimit se nga Policia e Kosovës është arrestuar ish-polici Dejan Pantiq. Sipas Policisë, Pantiq po dyshohet se ka organizuar sulmin në zyret e KKZ-së në veri të vendit me ç’rast ishin sulmuar zyrtarët e KQZ-së dhe zyrtarët policorë. Ai po mbahet në paraburgim për veprat penale terroriste dhe sulm kundër rendit kushtetues.

Më 8 dhjetor 2022, rreth orës 23:00, një veturë e Policisë së Kosovës derisa po patrullonte në fshatin Serbovc të Komunës së Zveçanit është sulmuar dhe nga ky sulm ka mbetur i plagosur një zyrtar policor. Një ditë më vonë, më 9 dhjetor, në orët e hershme të mëngjesit, persona të maskuar kanë sulmuar ekipin e KALLXO.com, i cili gjendej në Lagjen e Boshnjakëve për të raportuar në lidhje me zhvillimet atje.

Më 10 dhjetor 2022, një patrullë e EULEX-it është sulmuar me shok-bombë në veri të Kosovës, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, liderë kosovarë e ndërkombëtar e kanë dënuar sulmin.

Më 15 dhjetor, Serbia i është drejtuar KFOR-it me kërkesën për dislokimin e deri 1.000 trupave ushtarake dhe policore serbe në Kosovë.

Zyrtarët serbë kanë argumentuar se nuk presin që kjo kërkesë t’iu miratohet.Beogradi po ashtu ka thënë se kërkesa është bërë në bazë të Rezolutës 1244. Nga KFOR-i e kanë konfirmuar më 16 dhjetor se kanë pranuar kërkesën e Serbisë, të cilën kanë thënë se “po e shqyrtojmë”.