
Sveçla i VV-së: Problemi i mbeturinave në Prishtinë është "lufta mes LDK-së dhe PDK-së"
Komuna e Prishtinës ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme për krizën me menaxhimin e mbeturinave në Kryeqytet.
Në një Konferencë për media, të mbajtur të hënën, më 03.02.2025, kryetari Përparim Rama dhe drejtori i Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci, janë shprehur se gjendja me grumbullim të mbeturinave në Kryeqytet po përkeqesohet dhe se si Komunë do të shohin të gjitha rrugët ligjore për të angazhuar sektorin privat si gjendje emergjente dhe ndihmë për “Pastrimin” e cila, sipas tyre, nuk është në gjendje të plotësojë kërkesat e Komunës.
Madje Rama deklaroi se votimi në Asamblenë komunale nga PDK-LVV në dhjetor 2024 për ndryshim të një Rregulloreje që mundësonte kyçjen e sektorit privat u bë me qëllim që të dëmtoheshin tentativat e Komunës për një qytet të pastër.
Kriza me mbeturinat – Kryetari Përparim Rama e shpalli gjendjen e jashtëzakonshme
Ndërkaq, shefi i asamblistëve në Komunën e Prishtinës, Gëzim Sveçla, ka reaguar duke thënë se problemi i mbeturinave në Kryeqytet është “lufta mes LDK-së dhe PDK-së”.
Sipas tij LDK ka për qëllim privatizimin, ndërsa PDK në Prishtinë po abuzon me paratë publike.
“Problemi i mbeturinave në Prishtinë është lufta mes LDK-së, që qeveris me Kryeqytetin dhe PDK-së që menaxhon me ndërmarrjen “Pastrimi”. E para e ka qëllim privatizimin, e dyta po abuzon me publikën. Prej luftës së tyre po pëson Prishtina dhe banorët e saj.” – ka shkruar Sveçla.
Ai ka shtuar se as me LDK-në në pushtet dhe as me PDK-në pasuria publike nuk është e sigurt.
“Pas më shumë se 3 vjet qeverisjeje, në një fazë edhe bashkëqeverisje, është dëshmuar se me LDK-në në pushtet dhe me PDK-në në Ndërmarrje publike, as Prishtina nuk është e pastër, as pasuria publike nuk është e sigurt.” – ka shtuar Sveçla i VV-së.
Shpallja e një tenderi në vlerë 16.5 milionë euro nga Komuna e Prishtinës për menaxhim të mbeturinave në nëntor 2024 nxiti protesta nga “Pastrimi”, të cilët shfaqën shqetësimin e tyre se ky hap i Komunës do t’i çojë drejt falimentimit.
Derisa ditë më vonë opozita LVV-PDK në Kuvendin Komunal ndryshuan Rregulloren që i mundësonte Komunës angazhim të Kompanive private për menaxhim të situatës me mbeturina, shfuqizimi i kësaj Rregulloreje ndërpreu edhe procedurën për tenderin 16 milionësh për 5 Kompani private. Kompania “Pastrimi” përkrahet financiarisht nga 7 Komunat e regjionit të Prishtinës, ku ushtron veprimtari. “Pastrimi” disa herë është përballur me borxhe edhe ndaj Kompanisë për menaxhimin e deponive, KMDK, e cila në vitin 2022 ia kishte ndaluar qasjen në deponinë në Mirash të Obiliqit.
Veprimtaria e Kompanisë “Pastrimi” përfshin regjionin e Prishtinës me Komunat: Prishtinë, Fushë-Kosovë, Obiliq, Lipjan, Podujevë, Drenas dhe Graçanicë. Largimi i Prishtinës si financuese do të shkaktojë jostabilitet, por edhe përgjegjësi shtesë për Komunat e tjera.
Plani për delegim të pastrimit të kryeqytetit edhe te kompani të tjera ‘alarmon’ “Pastrimin”