
Sveçla i reagon ndërkombëtarëve: Po 'ftoni' Radojiçiqin e listës së zezë t’i udhëheq sulmet ndaj policisë
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar ndaj ndërkombëtarëve, pas kritikave që këtë të fundit patën ndaj Qeverisë së Kosovës për zhvillimet në Veri.
Sveçla u ka thënë bashkësisë ndërkombëtare se po “ftojnë” Milan Radojçiqin, i futur në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të komanduar sulmet ndaj policisë e Kosovës.
“Etiketimi i veprimeve të ligjshme dhe të civilizuara të Policisë së Kosovës si ‘të dhunshme’ dhe operacioneve të saj të zbatimit të ligjit si ‘dhunë’ është një ‘ftesë’ për Milan Radojçiqin e futur në listën e zezë të USG-së për të komanduar mashtruesit e tij për të sulmuar policët e Kosovës”. – ka shkruar Sveçla në Twitter.
Ai ka theksuar se çdo humbje jete duhet të parandalohet me kujdes maksimal, teksa shton se zgjedhja e ekuilibruar e fjalëve në këtë situatë është thelbësore.
“Të gjithë duhet të veprojnë me përgjegjësi. Çdo humbje jete duhet të parandalohet me kujdes maksimal. Zgjedhja e ekuilibruar e fjalëve në këtë situatë është thelbësore. Keqinterpretimi i realitetit mund të rezultojë në kosto njerëzore”- është shprehur Sveçla.
Labeling Kosova’s Police lawful & civilized actions as ‘violent’ and its law-enforcement operation as ‘violence’ is an ‘invitation’ to USG-blacklisted Milan Radojčić to command his crooks to attack Kosova policemen.
1/1— Xhelal Sveçla (@XSvecla) May 26, 2023
Bashkimi Evropian ka reaguar pas zhvillimeve në veri duke thënë se dënon ashpër përleshjet me policinë e Kosovës dhe protestuesit në veri të Kosovës, “të iniciuara nga tentativa e kryetarëve të sapozgjedhur të komunave për të hyrë në ndërtesat komunale”.
BE ka thënë se nuk do të pranojë asnjë veprim të “mëtejshëm të njëanshëm ose provokues dhe ruajtja e paqes, dhe siguria në terren duhet të jetë prioritet”.
Ndërsa sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken reaguar në lidhje me zhvillimet në veri duke dënuar veprimet e Qeverisë së Kosovës që sipas tij, “po përshkallëzojnë tensionet në veri dhe po shtojnë jostabilitetin”.
Blinken i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti të ndalojë këto masa dhe të përqendrohet në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Që nga mesdita, në katër komunat e veriut të vendit është dëgjuar alarmi, ndërsa pranë disa objekteve komunale, si në Zveçan e në Zubin Potok, janë parë qytetarë të cilët kanë kundërshtuar futjen e kryetarëve të zgjedhur në objektet komunale.
Pesë policë të Kosovës kanë pësuar lëndime të lehta trupore, pasi janë sulmuar nga protestuesit në Zveçan me mjete të forta dhe shok-bomba, ka konfirmuar Policia e Kosovës.
LIVE – Zhvillimet e fundit në veri