Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Sveçla: Gjasat që afganët të vendosen në Qendrën e Studentëve janë minimale

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, sot gjatë konferencës për media tha se edhe si qeveri kanë marrë vendimet e duhura në mënyrë që të mundësojnë strehimin e përkohshëm të afganistanëve në Kosovë.

Ai tha se kanë bërë edhe planet operative, qe procesi të zhvillohet në organizim sa me të mirë të mundshëm.  Ministri shtoi se Qendra e Stdentëve ka qenë një prej alternativave për strehimin e afganëve, por që gjasat për të ndodhur tashmë tha se janë minimale.

Nuk duhet harruar që Kosova ka kapacitete jashtëzakonisht të vogla për tu marrë me situatra të tilla”, tha Sveçla, shkruan rtv21.tv

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbrëmshme në formë elektronike ka marrë vendim për ndryshimin dhe plotësimin e pikës 2 të vendimit të Qeverisë të datës 16.08.2021, i cili është ndryshuar dhe plotësuar me vendimin e datës 21.08.2021 për ofrimin e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan.

Sipas këtij vendimi, përveç personave që janë në proces të aplikimit për Special Immigrant Visa (Vizave të Veçanta Imigruese) të SHBA-së, atyre të kualifikuar nën grupin P2 (klasifikim i veçantë i përcaktuar nga Departamenti i Shtetit Amerikan si Prioriteti 2), mbrojtje të përkohshme dhe të menjëhershëm do t’i ofrohet edhe personave tjerë, në bazë të marrëveshjes me SHBA-së, të cilët do të zhvendosen në SHBA apo në një shtet tjetër të tretë, përfshirë familjarët e tri këtyre grupeve.

Kosova ka qenë ndër shtetet e para që i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së SHBA-së për të strehuar afganët, të cilët kanë bashkëpunuar me forcat amerikane, pasi talibanët kanë marrë kontrollin e Afganistanit.

Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se mbërritja e civilëve afganë në Kosovë është çështje ditësh dhe se ardhja e tyre varet nga organizimi i transportimit që po kryhet nga SHBA.

Numri i saktë i refugjatëve afganë që do të pranojë Kosova ende nuk dihet, por presidentja ka deklaruar se po punohet në zgjerimin e kapaciteteve për të pranuar sa më shumë prej tyre.

Sa është e gatshme shoqëria kosovare t’i pranojë refugjatët afganë?