Foto: HRT/IMS

Sveçla flet për mundësinë e gjykimit të shoferit të autobusit në Kosovë

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla ka thënë se nuk kanë ndonjë marrëveshje me Kroacinë për ekstradim të shoferit të autobusit që dyshohet se shkaktoi aksidentin tragjik me bashkadhetarë në Kroaci më 25 korrik.

Ministri shtoi se për këtë temë janë në kontakt me autoritetet kroate.

“Ne jemi në kontakt me autoritetet kroate, do të shohim të gjitha mundësitë që shoferi të sjellet në Kosovë. Fatkeqëisht ne nuk kemi marrëveshje ekstradimi me shtetin kroat por do të shohim për një marrëveshje të veçantë. Nuk mund të premtojë asgjë, por angazhimi ynë shkon në atë drejtim. Besoj edhe gatishmëria e shtetit kroat do të jetë ajo. Por është çështje gjyqësore, duhet në plotëni të respektohen ligjet kroate dhe të shohim mundësitë që ai të transferohet në Kosovë dhe pastaj ai t’i përgjigjet institucioneve tona të drejtësisë”, tha ai në konferencë për media.

Shoferit të autobusit nga Kosova, që është aksidentuar të dielën në Sllavonski Brodt të Kroacisë, sot i është shqiptuar masa prej 30 ditësh paraburgim.

Autoritetet kanë thënë se ky vendim është marrë për shkak të rrezikut të arratisjes së këtij personi.

Si pasojë e aksidentit të së dielës, kanë vdekur 10 persona dhe mbi 40 të tjerë janë plagosur.