Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në konferencë për media - 15 prill 2022, Foto: KALLXO.com

Sveçla: Është thyer shtëpia e rreshterit serb që ktheu targat e veturës në RKS

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se mbrëmë është thyer shtëpia e një rreshteri të policisë i cili i ka kthyer targat e veturës nga ato ilegale në targa RKS.

Sveçla ka thënë se pavarësisht këtyre, procesi i regjistrimit të targave është proces i pandalshëm.

“Mbrëmë pas mesnatës shtëpia e rreshterit Dragan Nikoliq, i cili targat e veturës së tij i kaloi nga ato ilegale në targa të RKS-së, persona të pa identifikuar ia kanë thyer shtëpinë dhe një pjese të saj i kanë vënë zjarr” – ka thënë Sveçla.

Sveçla tutje ka thënë se presidentit Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka përmendur çështjen e targave ku edhe ka kërcënuar qytetarët e Kosovës që planifikojnë të jenë pjesë e procesit të shndërrimit të tagrave.

“Pardje presidentit i Serbisë, përmendi ketë proces ku edhe realisht kërcënoj qytetarët e Kosovës që planifikojnë të jenë pjesë e procesit të shndërrimit të tagrave. Përmendi edhe fillimin e këtij procesi përmes identifikimit të dy rasteve posaçërisht rastit të Veriut të Kosovës ku ai tha se është një person i cili punon në institucionet e Kosovës me çka ai me këtë e bëri target të tyre” – ka thënë ai.

Sveçla po ashtu ka thënë se që nga 1 shtatori të gjitha qendrat për regjistrimin e targave janë të hapura dhe ofrojnë informacionet e nevojshme dhe asistojnë në shndërrimin e targave.