Armatimi i sekuestruar në veri. Foto: Adelina Ahmeti, KALLXO.com/30.11.2024

Sveçla: Eksplozivi me të cilin u krye sulmi në Ibër-Lepenc është pothuajse i pamundur të gjendet në tregun e zi

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka hedhur dyshime se eksplozivi i mbrëmshëm me të cilin u krye sulmi në Ibër-Lepenc mund të jetë marr nga ndonjë magazinë e ushtrisë.

Teksa ka folur për sekuestrimin e armatimeve të shumta që janë bërë kohëve të fundit, ai ka thënë se një shumicë absolute e prodhimeve janë serbe.

“Një pjesë e madhe e tyre janë ekskluzivisht ushtarake të cilat nuk gjenden lehtë as në tregun e zi e të mos flasim për treg legal. Eksplozivi i përdorur mbrëmë është një material i cili është pothuajse i pamundshëm të gjendet, përpos nëse është furnizuar drejtpërdrejtë në magazinat e ushtrisë” – tha ministri.

Një numër i konsiderueshëm i armëve, pajisjeve ushtarake e pajisjeve të tjera është gjetur gjatë këtyre bastisjeve në veri.

Deri më tani, siç kanë bërë të ditur vet ministri e drejtori i Policisë, janë arrestuar dhe shoqëruar në stacione policore tetë persona.

Një shpërthim ka ndodhur më 29.11.2024 në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Vrragë të komunës së Zubin Potokut.

Qeveria e Kosovës thotë se ky sulm është dirigjuar e orkestruar nga Serbia e i kryer nga profesionistë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka konfirmuar se tashmë janë bërë arrestimet e para në lidhje me këtë rast. Këtë sulm e kanë dënuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Europian.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian, Joseph Borrel e ka quajtur sulm terrorist shpërthimin në kanalin ujor të Ibër Lepencit në Varagë të Zubin Potokut.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar më 30.11.2024 se pavarësisht dëmtimit që shpërthimi shkaktoi në kanalin e Ibër-Lepencit, kanë arritur të sigurojnë energji elektrike për vendin përmes vendosjes së gjashtë gypave të përkohshëm, me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit “Kosova B”.

Për këtë çështje, Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme në orën 1:30 të mëngjesit të sotëm (30.11.2024), ku ka diskutuar për këtë shpërthim. Në mbledhje, sipas një komunikate për media, u fol për ndërlidhjen e mundshme të rastit të djeshëm, me një sulm të ngjashëm rus në Ukrainë javën e kaluar.

Në këtë mbledhje janë diskutuar edhe masat emergjente që janë marrë dhe po merren për të zbutur pasojat e sulmit dhe për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike në vend.

Ndërkohë, ekipe të Misionit Paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë dalë më 30.11.2024 në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur shpërthimi. Të gjitha lajmet rreth situatës pas shpërthimit në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit mund t’i lexoni në artikullin e mëposhtëm.

Sulmi terrorist në kanalin e Ibër Lepencit – Lajm në Zhvillim