Sveçla e shpall person 'non grata' rusen Daria Asmalovan

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se ka shpallur person të padëshirueshëm në Republikën e Kosovës Daria Asmalovan, e cila u arrestua dje në pikën kufitare në veri.

Siç njoftoi Sveçla, hyrja e saj është e ndaluar për pesë vite në territorin e Republikës së Kosovës.

“Kushdo që me qëllime apo direktiva të caktuara cënon apo tenton të destabilizojë vendin tonë, do të përballet pa diskutim me forcën e ligjeve të Republikës së Kosovës”, ka shkruar ministri Sveçla në rrjetin social “Facebook”.

Mbrëmë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se në pikë kalimin kufitar në veri të Kosovës është ndaluar Daria Aslamova.

Sipas Sveçlës, shumë shtete e kanë vërtetuar se ajo ka qenë e angazhuar në spiunazh për inteligjencën ushtarake ruse dhe se ka vepruar në petkun e gazetares.

“Sot, në pikë kalimin kufitar në veri të vendit është ndaluar Daria Aslamova. Shumë shtete e kanë vërtetuar se ajo ka qenë e angazhuar në spiunazh për inteligjencën ushtarake ruse dhe se ka vepruar në petkun e gazetares. E njëjta ka marrë pjesë edhe në luftimet në Ukrainë duke propaganduar mbi pushtimin rus ndaj Ukrainës”, ka shkruar Sveçla.