Sveçla dyshon se në aksionin e sotëm në Zubin Potok ka pasë rrjedhje të informatës zyrtare

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka komentuar aksionin e sotëm të Policisë së Kosovës dhe Doganës së Kosovës në Zubin Potok në veri të vendit.

Svecla ka ngritur shqetësime se ka mundur të ketë rrjedhje të informacionit për aksionin e Policisë.

Dyshimet Sveçla i ka bazuar në faktin se pjesëtarët e Policisë kanë gjetur infrastrukturën e nevojshme për minimin e kryptovalutave, por që kanë munguar pajisjet.

“Janë kontrolluar tri lokacione/ hapësira të dyshimta për aktivitete të jashtëligjshme të minimit të kriptovalutave. Aksioni ka përfunduar pa incidente. Në një nga lokacionet është vërejtur infrastruktura por mungonin pajisjet për këtë veprimtari të jashtëligjshme. Duke marrë parasysh këtë fakt, Policia e Kosovës është duke zhvilluar hetime intensive për rrjedhje të informatës zyrtare”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Ai ka ftuar qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës duke lajmëruar çfarëdo veprimtarie joligjore, të kujtdo qoftë, duke kontribuar kështu drejtpërdrejtë në sundimin e ligjit për të gjithë dhe kudo në Kosovë.

Kallxo Pernime kishte publikuar hulumtimin se si në 4 komunat veriore është duke lulëzuar veprimtaria e prodhimit të kryptovalutave përmes pajisjeve teknologjike të cilat shpenzojnë sasi të madhe të energjisë elektrike.

4 komunat veriore, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan e Leposaviq tash e disa vite nuk paguajnë energji elektrike dhe kjo i ka bërë këto qytete shënjestër e grupeve që merren me këtë veprimtari.

Më poshtë mund ta gjeni emisionin e plotë që është publikuar në maj të këtij viti.