Sveçla - Djegia e veturave në veri e orkestruar nga Beogradi

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka thënë se djegia e veturave me qëllim të shkaktimit të frikës tek qytetarët është akt i rëndë kriminal.

Sveçla ka thënë se secili që ka kryer akt kriminal me qëllim të destabilizimit të vendit, do të sillet para drejtësisë.

“Secili që si individ apo si pjesë e grupeve kriminale të dirigjuara nga Beogradi ka kryer çdo lloj akti kriminal me qëllim të destabilizimit të vendit tonë, do të identifikohet dhe sillet para drejtësisë”- ka thënë ai.

Ai tutje ka thënë se njësitet relevante policore kanë qenë të angazhuara në identifikimin e kriminelëve.

“Djegia e veturave të qytetarëve tanë në veri e orkestruar nga Beogradi me qëllim të shkaktimit të frikës tek qytetarët tjerë është pa dyshim akt i rëndë kriminal. Siç edhe kemi thënë sa herë kanë ndodhur akte të tilla, njësitet relevante policore kanë qenë të angazhuara në identifikimin e kriminelëve që kanë kryer akte të tilla”- ka thënë Sveçla.

Sveçla ka thënë se i dyshuari që është arrestuar sot përveç që ka qenë i përfshirë në djegien e veturave në veri, si pjesë aktive e strukturës kriminale të të ashtuquajturës “Mbrojtje Civile”, më parë ai kishte sulmuar me armë Policinë e Kosovës duke i plagosur dy zyrtarë të saj.

“Poashtu organet e sigurisë kanë dëshmi për përfshirjen e tij në sulme ndaj infrasturkturës kritike të republikës”- ka thënë Sveçla.

Secili që si individ apo si pjesë e grupeve kriminale të dirigjuara nga Beogradi ka kryer çdo lloj akti kriminal me qëllim të destabilizimit të vendit tonë, do të identifikohet dhe sillet para drejtësisë.

Policia e Kosovës sot rreth orës 17:00 ka arrestuar një person të dyshuar në Mitrovicë të veriut.

Sipas Policisë i njëjti dyshohet për përfshirje në rastin e sulmit me armë zjarri ndaj njësisë së Policisë së Kosovës, ku si pasojë dy zyrtarë policor kishin pësuar plagë nga arma e zjarrit.

I njëjti, gjithashtu është i dyshuar edhe për djegien e veturave në rajonin e Zubin Potokut, të cilat ishin regjistruar në targa të Republikës së Kosovës.

Disa raste të djegies së veturave janë raportuar ditëve të fundit së kanë ndodhur në veri të Kosovës.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se tre vetura janë djegur mëngjesin e së shtunës në Leposaviq, në dy raste të ndara.

Arrestohet i dyshuari për sulm ndaj Policisë dhe djegie të veturave në Zubin Potok