Foto: Xhelal Sveçla, Facebook

Sveçla bisedon me Sarrazinin për kontrollin e mallrave serbe në Merdarë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla njoftoi se ka biseduar me përfaqësuesin e Posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin për masën e kontrolleve manuale të sigurisë për mallrat që hyjnë nga Serbia në pikën kufitare në Merdarë.

Qeveria e Kosovës ka ndryshuar masën e sigurisë për mallrat serbe, nga “kufizim” siç ka qenë – në lejim të importit me “kontroll të shtuar”, më 07.10.2024.

“Zyrtarët tanë shtetëror po e zbatojnë këtë vendim me përkushtim me qëllim të garantimit të sigurisë së vendit tonë deri në funksionalizimin e sistemeve të skanerëve “X” që do të lehtësojnë edhe punën e tyre edhe pritjet në pika kufitare” – ka shkruar Sveçla në Facebook, të mërkurën, më 30.10.2024.

Në këtë takim, ministri tha se folën edhe për ecurinë e takimit të fundit të Procesit të Berlinit dhe se ka rikonfirmuar përkushtimin e tyre si palë aktive për angazhim të mëtejmë në këtë proces.

Ai po ashtu tha se ka falënderuar Sarrazinin për angazhimin e tij të vazhdueshëm në avancimin e bashkëpunimit rajonal.

Për temën e importit të mallrave serbe, me Sarrazinin ka folur edhe kryeministri Albin Kurti, një ditë më parë, më 29.10.2024.

“Në lidhje me kohën e pritjes në pikën kufitare në Merdarë, kryeministri theksoi rëndësinë e respektimit të procedurave të lajmëruara me rastin e ndryshimit të masës së sigurisë deri në operacionalizimin e skanerëve me rreze X, si dhe foli për mobilizimin që kanë bërë institucionet e Republikës së Kosovës në këtë drejtim” – thuhej në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Kurti kishte paralajmëruar se masa është ndryshuar deri sa të vijnë skanerët e teknologjisë së lartë, që pritet të vijnë nga autoritetet gjermane.

Ambasada gjermane tha se blerja e këtyre skanerëve është në proces, “në përputhje me të gjitha rregullat dhe rregulloret e vlefshme për prokurimin publik”.
Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, tha më herët se do ta monitorojë procesin e importit të mallrave nga Serbia, pasi vendi i tij i kërkoi Kosovës heqjen e ndalesës, në mënyrë që të zhbllokohej CEFTA, apo Marrëveshja e Tregtisë së Lirë e Evropës Qendrore, dhe të përparonte Procesi i Berlinit – një nismë kjo që synon të ndihmojë zhvillimin ekonomik të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe afrimin e tyre me Bashkimin Evropian.

Vendimi për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia ishtë marrë në mes të korrikut të vitit 2023, për “arsye sigurie”, pas arrestimit të tre policëve të Kosovës nga policia serbe.