Suspendohet zyrtari policor që u përfshi në një rrahje në Kamenicë

Zyrtari policor Flamur Keka është suspenduar me vendim të Drejtorit Rajonal të Gjilanit Agron Rukiqi.

Suspendimi i tij është bërë për 72 orë më rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës.

Në disa përgjigje për KALLXO.com, Policia rajonale në Gjilan ka thënë se rasti është në fazën fillestare të hetimit.

Keka, zyrtar policor dyshohet se është përfshirë në një rrahje mbrëmjen e së shtunës, në ditën e festës së Bajramit.

Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës thuhet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:00 në një lokal në Kamenicë.

“Pas një mosmarrëveshje verbale, janë rrahur mes vete katër meshkuj kosovar. Të lënduarit kanë pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt”, përshkruhet rasti i së shtunës në raportin e Policisë së Kosovës.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime në lidhje me hetimet që janë duke ndërmarrë ndaj zyrtarit policor të përfshirë në këtë rast.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka thënë se Departamenti i hetimeve është njoftuar për rastin dhe është duke e hetuar atë.

“Të njëjtit janë duke ndërmarrë veprime hetimore drejtë ndriçimit të të gjitha rrethanave për derisa në konsultim me prokurorin rasti vazhdon në procedurë të rregullt. Zyrtari policor i përfshirë në këtë rast është i dyshuar deri në këtë fazë të hetimeve për veprën penale të sulmit”, ka thënë IPK në një përgjigje për KALLXO.com.

Tutje të njëjtit kanë konfirmuar se për shkak të hetimeve IPK pritet të rekomandoj edhe suspendimin e zyrtarit policor.

Polici i përfshirë në rrahje të shtunën, IPK pritet të rekomandojë suspendimin e tij