Suspendohet zyrtari policor që dyshohet se u kap me kokainë në Prishtinë
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka njoftuar se është suspenduar zyrtari policor, Arbër Rexhepi i arrestuar mbrëmjen e datës 28.10.2024 nën dyshimet për posedim të narkotikëve.
Sipas njoftimit të IPK-së, polici i arrestuar ka qenë jashtë detyrës zyrtare.
IPK-ja ka njoftuar se me të pranuar informacionin kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe aty kanë qenë prezentë edhe njësi të tjera policore.
“Në këtë rast janë arrestuar tre të dyshuar përfshirë edhe një zyrtar policor (jashtë detyrës zyrtare). Zyrtarit policor tashmë të arrestuar i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’. Si pjesë e procedurave administrative i njëjti edhe është suspenduar me rekomandim të IPK-së”- thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se hetimet për këtë rast kishin filluar më herët nga hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e trafikimit me narkotikë të Policisë së Kosovës.
Po ashtu në njoftim theksohet se hetuesit e IPK-së në koordinim me Prokurorin e Shtetit dhe njësitet tjera policore do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe shumë veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të rrethanave të këtij rasti.
Siç mëson KALLXO.com polici i arrestuar është Arbër Rexhepi dhe tek i njëjti është gjetur substancë narkotike e llojit kokainë.
Burimet bëjnë me dije se i njëjti i takon gjeneratës së 60-të të Policisë së Kosovës.
(Shënim: Emri i policit të dyshuar është Arbër dhe jo Arbnor, ashtu siç është raportuar fillimisht. Koha e editimit: 11:55 – 30.10.2024).