Suspendohet polici, dyshohet se i kërkoi qytetarit t’ia kthente paratë shitësit të veturës

Një hetues i Policise është suspenduar nën dyshimin për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

KALLXO.com mëson se polici Z.M. nga stacioni policor në Ferizaj është suspenduar nga detyra pasi ishte përfshirë në një rast si ndërmjetësues në kthimin e disa parave në lidhje me një veturë.

Në një intetviste pët KALLXO.com viktima e këtij rasti ka treguar se hetuesi policor Z.M. e kishte thirrur për ta intervistuar në cilësinë e të dëmtuarit ndërsa më pas e kishte arrestuar nën dyshimin se kishte kryer vepër penale.

Pala ankuese ka thënë se kishte blerë një veturë nga një person i cili kishte një lokal dhe mbante vetura me qira e më pas të njëjtën veturë e kishte shitur me aprovim dhe marrëveshje të pronarit të lokalit.

Ankuesi ka rrëfyer se nga hetuesi policor ishte thirrur që t’ia kthente paratë e veturës personit të parë nga i cili e kishte blerë dhe e kishte kërcënuar se nëse nuk ia jep paratë do ta dërgonte në ndalim.

Në lidhje me pretendimet e palës KALLXO.com mëson se janë marrë edhe Inspektorati Policor i Kosovës ndërsa me rekomandim të këtyre të fundit polici është suspenduar.