Suspendohet një polic, dyshohet se gjuajti me armë zjarri në Jezerc të Ferizajt

Një zyrtar policor është suspenduar nga Inspektorati Policor i Kosovës, nën dyshimin se ka shtënë më armë zjarri dje në fshatin Jezerc të Ferizajt.

Suspendimin e tij e ka konfirmuar për KALLXO.com, kryeshefi ekzekutiv i IPK-së, Kushtrim Hodaj.

“Po, një polic është suspenduar, dhe po hetohet në procedurë të rregullt. Dyshohet se ka gjuajtur me armë zjarri”, ka thënë Hodaj për KALLXO.com.

Ndërsa sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 17:15.

Sipas raportit, një person ka njoftuar Policinë se dy të burra të panjohur kishin shtënë me armë zjarri në drejtim të pyllit dhe më pas janë larguar me vetura.

“Ankuesi mashkull kosovar, ka njoftuar se dy meshkuj të panjohur kishin shtënë me armë zjarrit në drejtim të pyllit dhe më pas janë larguar me vetura. Lidhur me rastin janë shoqëruar dy të dyshuar meshkuj kosovarë. Pas intervistimit me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e Policisë.