Suspendohet një major dhe një polic, dyshohen për keqpërdorim të pozitës

Dy zyrtarë policorë njëri nga ta me gradën major janë suspenduar me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës, pasi dyshohen se kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

IPK mëngjesin e sotëm ka njoftuar se zyrtarët policor dyshohet se kanë bërë lëshime deri sa kishin qenë të përfshirë në një plan operativ.

Mbi bazën e të gjitha këtyre dyshimeve, IPK ka thënë se është informuar prokurori i çështjes dhe me autorizim të tij janë ndërmarr veprime të  nevojshme lidhur me zbardhjen e rrethanave të rastit dhe janë intervistuar pesë zyrtarë policorë të përfshirë në këtë çështje me dyshimin për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar”.

Lidhur me këtë rast me rekomandim të IPK-së janë suspenduar dy zyrtarë policorë të Drejtorisë Rajonale Kufitare në Lindje (njëri nga ta me gradën major) përderisa hetuesit e IPK-së në koordinim më Prokurorinë e Shtetit do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen më këtë rast.