Suspendohet nga puna polici i dyshuar për sulm seksual

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se ditë më herët kishte pranuar një informacion sipas të cilit dyshohej se një zyrtar policor (i Njësisë Rajonale të komunikacionit rrugor në Gjilan) kishte kryer veprën penale “sulm seksual”.

Sipas IPK-së, si rezultat i veprimeve hetimore janë siguruar dëshmi në bazë të të cilave dyshohet se zyrtari policor ka kryer veprën penale – sulm seksual ndaj një të miture.

Në njoftimin e publikuar në rrjetin social “Facebook”, bazuar në këto dyshime, sot në orët e pasdites është arrestuar zyrtari policor (i cili ishte jashtë detyrës zyrtare)  dhe me vendim të prokurorit kompetent të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

“Përveç arrestimit, si pjesë e procedurës administrative i dyshuari (zyrtari policor) është suspenduar deri në përfundim të hetimit. Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës të prokurorisë Themelore në Gjilan”, thuhet në komunikatë.

KALLXO.com raportoi sot se një zyrtar policor është arrestuar pasditën e sotme nga Inspektorati Policor i Kosovës.

Arrestimi i policit u bë në rrugë pasi nuk ishte në punë ndërsa është dërguar në  Stacionin Policor në Kamenicë për intervistim.

Arrestohet polici, dyshohet për sulm seksual ndaj të miturës