Menaxhmeti i ndërmarrjes "Trepça" 26.08.2024 Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com

Suspendohet nga puna edhe një punëtor i Trepçës, arrin në 14 numri i të larguarve nga kjo ndërmarrje

Punëtori me iniciale B.V është larguar përkohësisht nga puna në Trepçë me vendim të Kryeshefit ekzekutiv të kësaj ndërmarrjeje publike.

“Me datën 23.8.2024 z. B.V. është larguar përkohësisht nga puna me vendim të u.d. Kryeshefit Ekzekutiv me nr.prot:4622 të datës 23.8.2024. Për shkak se i njëjti ka kryer shkelje të rënda të detyrave të punës nga neni 10 paragrafi 1 nën paragrafi 1.5, 1.13 dhe 1.52 të Rregullores nr.prot:2906 të datës 30.7.2020 për përgjegjësinë disiplinore dhe materiale të punëtorëve të Trepça Sh.A”- thuhet në njoftim.

22.08.2024, KALLXO.com raportoi se trembëdhjetë punëtorë janë suspenduar dhe larguar nga puna në “Trepçë” brenda javës.

KALLXO.com ka kontaktuar ndërmarrjen “Trepça” për t’i kuptuar emrat dhe mbiemrat e secilit punëtor të larguar nga puna si dhe pozitat e tyre në këtë ndërmarrje dhe se me kë do të zëvendësohen të njëjtit, mirëpo nuk ka marrë përgjigje.

Pavarësisht thirrjeve dhe mesazheve me të cilat KALLXO.com iu drejtua u.d kryeshefit ekzekutiv, Faton Ahmeti, nuk mori asnjë përgjigje prej tij.

Sot, më 26.08.2024, ai nuk foli për Kallxo.com me arsyetimin se kishte një takim.

Largimet e suspendimet brenda javës në Trepçë

Ndërmarrja publike “Trepça” ka larguar përkohësisht tre punëtorë nga puna, më 22.08.2024.

Bëhet fjalë për punëtorët me iniciale, F.B, H.M dhe  Sh.S. Të njëjtit janë larguar përkohësisht nga puna me vendim të u.d kryeshefit ekzekutiv, Faton Ahmeti me arsyetimin se kanë kryer shkelje të rënda të detyrave të punës.

“Për shkak se të njëjtit kanë kryer shkelje të rënda të detyrave të punës nga neni 10 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1, 1.5, 1.13 dhe 1.52 të Rregullores nr.prot:2906 të datës 30.7.2020 për përgjegjësinë disiplinore dhe materiale të punëtorëve të Trepça Sh.A.”- thuhet në njoftim.

Ndërmarrja Publike ‘Trepça’ ka njoftuar se ka larguar nga puna edhe një punëtor tjetër të kësaj ndërmarrjeje, më 21.08.2024.

Menaxhmenti i Trepçës njoftoi se Komisioni Disiplinor ka vërtetuar se personi F.S. ka kryer shkelje të rëndë të detyrave të punës, me ç’rast i  njëjti thuhet se është larguar nga puna. Sipas tyre, F.S. ka keqpërdorur sistemin elektronik për hyrje dhe dalje, për çka, siç thuhet në njoftim i është shqiptuar masë disiplinore dhe është larguar nga puna.

Ndërsa të martën, më 20.08.2024, Ndërmarrja publike “Trepça” ka njoftuar se ka larguar nga puna shtatë punëtorë, duke ua publikuar vetëm inicialet dhe pothuajse arsyetimi për secilin ishte se kanë kryer shkelje të rënda të detyrave të punës.

Në njoftimin e ndërmarrjes nuk janë bërë të ditura as pozitat në të cilat kanë qenë të punësuar këta persona.

KALLXO.com raportoi të hënën, më 19.08.2024 se Drejtori i shërbimit teknik-gjeodezik, përgatitjes në minierë në njësinë biznesore Miniera me Flotacion Trepça-Stan Tërg, Xhevdet Tahiri është larguar nga puna përkohësisht. Ai thoshte se shkaktar u bë punësimi i vëllait të tij si shofer personal.

“Arsyeja është kjo… unë akuzohem për një vepër penale ‘keqpërdorim i detyrës zyrtare’. Mendoj që nuk është vepër penale por ka pasë shkelje procedurale në vitin 2019- është hap një konkurs për shofer timin personal. Në konkurs ka qenë një kandidat dhe ai ka qenë vëllai im. Unë kam ba vetëm kërkesë të bordi mbikëqyrës, një shofer personal. Është hap konkursi, konkursi ka qenë publik, transparent edhe të gjitha procedurat kanë kaluar në burime njerëzore dhe në zyrën ligjore”- tha ai.

Ndërsa Zyrtarja Për Komunikim me Publikun në Trepçë, Donika Osmani- Mehmeti ka konfirmuar më 19.08.2024 se personi që është larguar përkohësisht nga puna është Xhevdet Tahiri dhe ka potencuar se vendimi është marrë pas pranimit të aktakuzës nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë.

Largimet nga puna filluan më 16.08.2024 ku ndërmarrja “Trepça” ia ndërpreu marrëdhënien e punës inxhinierit Ekrem Peci me pretendimin se ka kryer shkelje të rëndë të detyrave të punës.

KALLXO.com mori një qëndrim edhe nga inxhinieri i cili u largua nga puna nën pretendimin se nuk ka shkuar në punë. Ekrem Peci tha se i ka kyer të gjitha detyrat me përpikmëri.

“Figurojnë kamerat që jam kanë në punë. Njëkohësisht jam solidarizu me minatorët që janë kanë në grevë. Unë as s’po them jam kanë, as s’jam kanë. Asni detyrë që mu ka jep deri qetash nuk ka mbetë pa e kry. Çdo detyrë që mu ka jep e kam kry me dëshirën më të madhe, me profesionalizimin më të madh. Kam punu si inxhinier i gjeologjisë, në menaxhment. Çështja e suspendimit është çështje e tyre”- ka thënë Peci.

Gjykata Themelore në Mitrovicë ka marrë vendim që të anulohet zgjedhja e Bashkim Kurtit në pozitën e kryeshefit të ndërmarrjes “Trepça”.

Këtë vendim e ka shqyrtuar bordi i ndërmarrjes “Trepça” në mbledhjen e mbajtur më 02.08.2024. Ata kanë vendosur që ta lirojnë nga detyra Bashkim Kurtin dhe ta emërojnë Faton Ahmetin ushtrues detyre të kryeshefit ekzekutiv në këtë ndërmarrje.

Gjykata e Mitrovicës më 23.07.2024 ka vendosur që ta aprovojë kërkesën e paditësit Burim Asllani duke e anuluar vendimin e datës 11.01.2024 të bordit mbikëqyrës të “Trepçës”, përmes të cilit është zgjedhur Bashkim Kurti kryeshef i ndërmarrjes “Trepça”.

https://kallxo.com/lajm/gjykata-ne-mitrovice-anulon-zgjedhjen-e-bashkim-kurtit-si-kryeshef-i-trepces-bordi-emeron-faton-ahmetin-ushtrues-detyre/