Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Suspendohet nga detyra polici që dyshohet se vodhi një biçikletë

Një qytetar ka njoftuar Inspektoratin Policor të Kosovës se një polic dyshohej se i kishte vjedhur një biçikletë.

Ngjarka ka ndodhur në lagjen “Marigona” në periferi të Prishtinës.

Pas trajtimit të informacionit IPK ka nisur një hetim penal ndaj policit me inicialet M.B., ndërsa me rekomandim, Policia e Kosovës e ka suspenduar të njëjtin.

“Inspektorati Policor i Kosovës është duke zhvilluar hetime penale lidhur me këtë rast në procedurë të rregullt në koordinim me Prokurorin e Shtetit me dyshimin se është kryer vepra penale e vjedhjes. Me rekomandim të IPK-së zyrtari policor është suspenduar”, thuhet në përgjigjet e IPK-së.

KALLXO.com raportoi në lidhje me rastin ndërsa e gjithë ngjarja ka ndodhur të hënën, në ditën kur Policia e Kosovës festoi edhe 22 vjetorin e themelimit.

Zyrtari policor sipas informacioneve të KALLXO.com punon në Divizionin e Sigurimit të Objekteve Diplomatike në kuadër të Policisë së Kosovës.

Polici i Kosovës dyshohet se vodhi një biçikletë

www.kallxo.com