Suspendohet drejtori i Fondit për Sigurime Shëndetësore, Fatmir Plakiqi

Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha Bunjaku, në një konferencë për media ka thënë se është suspenduar (largim i përkohshëm) drejtori i Fondit për Sigurime Shëndetësore, Fatmir Plakiqi.

Ky vendim është marrë në mbledhjen konstituivë të Bordit Drejtues të Fondit për Sigurime Shëndetësore, të emëruar nga Qeveria e Kosovës.

Gexha njoftoi se me shumica vota, Bujar Kaquri është zgjedhur ushtrues i detyrës së drejtorit të Fondit për Sigurime Shëndetësore.

“Që në mbledhjen e radhës do të emërojmë komitetit e auditimit të brendshëm drejt ngritjes së nivelit të funksionit të auditimit të brendshëm në këtë institucion dhe krahas kësaj do të kërkojmë raporte të hollësishme. Kjo do të trasojë veprimet tona tutje si bord, kthim të ligjshmërisë, transparencës dhe llogaridhënies e Fondit për Sigurime Shëndetësore, shmangies të nepotizmit e konfliktit të interesit në ushtrim të detyrave, auditim gjithëpërfshirës e bashkëpunim me organet e rendit”, tha Gexha në konferencën për media.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë thotë se qeveria ka për synim të themelojë sistemin e sigurimeve shëndetësore.

Ajo ka thënë se do të korrigjohet sistemi aktual i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.

Sipas saj deri më tani është dëmtuar buxheti i shtetit dhe shëndeti i pacientëve.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë që tashmë është edhe anëtare e Bordit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore ka thënë se pezullimi i drejtorit është bërë me qëllim që të kenë më lehtë qasjen në informacion dhe raporte./Telegrafi