Ilustrim

Suspendohen shtatë policë në Gjakovë, dyshohet se keqtrajtuan qytetarin pas kundërvajtjes në trafik

Prokuroria e Gjakovës, ka ndaluar tre zyrtarë policorë nën dyshimin për keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare dhe lëndimi i rëndë trupor ndërkaq në incident dyshohet se janë të përfshirë edhe katër policë të tjerë.

Sipas Prokurorisë rasti ka ndodhur në mëngjesin e hershëm të 4 shkurtit 2021, ku një qytetar së pari është ndaluar nga zyrtarët policorë për kundërvajtje në trafik.

Më pas dyshohet që është keqtrajtuar duke iu shkaktuar edhe lëndime të rënda trupore dhe për momentin gjendet për tretman mjekësor.

Tutje në njoftim të Prokurorisë thuhet se prokurori kujdestar ka qenë në konsultim dhe me Inspektoratin Policor me rekomandimin e të cilëve janë suspenduar shtatë zyrtarët policorë që dyshohet se janë të përfshirë në këtë incident.

Po ashtu në njoftim thuhet se Prokuroria në Gjakovë, gjatë ditës do të bëjë kërkesën për paraburgim, në Gjykatën kompetente, për tre zyrtarët policorë të cilët gjenden në ndalim dhe do të vazhdojë hetimet edhe për katër policët tjerë të cilët janë të dyshuar për rastin në fjalë.