Suspendohen nëntë punëtorë të aeroportit pas solidarizimit me grevën (VIDEO)

9 punëtorë të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” janë suspenduar gjatë ditës së djeshme.

Kështu ka thënë për KALLXO.com, Kryetari i Sindikatës së punëtorëve të Aeroportit, Bashkim Latifi.

Ai ka thënë se suspendimi i punëtorëve është bërë nën arsyetimin se ata janë solidarizuar me grevën e punëtorëve të Aeroportit e cila sot ka hyrë në ditën e tretë.

Tutje kryetari tha edhe se më shumë se 80% e punëtorëve janë në grevë.

Ai nuk dha detaje nëse do të ketë veprime të tjera nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen.

Punëtorët e Aeroportit të Prishtinës “Adem Jashari” që nga dita e hënë janë në grevë. Disa nga kërkesat e tyre është pagesa e rrezikshmërisë, rritja e pagës, mos-dallimi në paga të punëtorëve pagesa e një shujte ushqimi në ditë.

Sipas kryetarit Latifi, këto kërkesa duhet të realizohen.