Burgu i Dubravës - Foto: Ilustrim

Suspendohen dy zyrtarë të burgjeve për vetëvrasjen në Burgun e Dubravës

Dy zyrtarë korrektues janë suspenduar pas rastit të vetëvrasjes së një të burgosuri në Burgun e Dubravës.

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se pas vetëvrasjes së të burgosurit F.I, dy zyrtarë korrektues janë suspenduar dhe menjëherë është iniciuar procedurë disiplinore ndaj tyre.

“Me këtë rast është formuar edhe Komision Hetimor për ta hetuar rastin në fjalë”, thuhet në njoftimin e SHKK-së.

Një person me inicialet F.I është gjetur pa shenja jete në qelinë e tij në Qendrën Korrektuese në Dubravë.

Viktima ka varur vetën me jelekun e tij në grilat prapa derës së dhomës në qelisë.

Rasti ka ndodhur mbrëmë rreth orës 20:15, ka njoftuar Shërbimi Korrektues i Kosovës përmes një komunikate për media.

“Me të kuptuar për rastin, i menjëhershëm ka qenë intervenimi i stafit korrektues dhe atij mjekësor të burgut, por përkundër përpjekjeve për reanimim nuk kanë arritur të kthejnë në jetë dhe si pasojë ai ka ndërruar jetë”, thuhet në njoftim.

Siç bëhet e ditur, personi në fjalë ishte i dënuar për veprën penale: Lëndim i rëndë trupor.

Lidhur me rastin janë njoftuar Policia e Kosovës dhe prokurori, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po e hetojnë rastin.

Një i burgosur gjendet i varur në Burgun e Dubravës